Vllaznia luan nesër ndeshjen, që i vë kapakun sezonit të kuqebluve në këtë edicion. Përballë do jetë Partizani dhe diskutohet për titullin kampion. Një fitore e shkodranëve i rikthen në garë për titullin, ndërsa një triumf i të kuqve thuajse i jep titullin Partizanit.
Para kësaj sfide në konferencë për mediet foli lojtari i shkodranëve, Eni Imami. Mbrojtësi është i qartë se nesër vendoset gjithçka dhe premton se do bëhet maksimumi që sulmuesit e Partizanit të mos shënojnë nesër në portën e Zogovic.
“Për mua është vendimtare sepse kanë mbetur edhe 180 minuta dhe nesër ndahet çdo gjë në lidhje me ekipin për kampion. Dëmtimi? E kam vuajtur shumë sepse nuk prisja të qëndroja kaq gjatë jashtë. Fatmirësisht u riktheva dhe më bëhet shumë qejfi që trajneri e tha edhe publikisht që kam bërë paraqitje të mirë ndeshjen e shkuar.
E kisha pak me siklet të them të drejtën sepse kam qëndruar 2 muaj jashtë dhe nuk janë pak. Uroj ta vazhdoj formën e mirë edhe në tre ndeshjet e mbetura. Në mbrojtje do bëjmë më të mirën tonë dhe shpresoj që Partizani të vazhdojë agjërimin me ne. Asani mungon? Dihen vlerat e tij dhe këtë sezon ka bërë shumë mirë.
Nuk dua t’ua ul vlerat sulmuesve të tjerë si Çinari, që është shkodrani juaj dhe Juniorit. Uroj të mos na shënojnë, s’e them që nuk do na shënojnë. Ndeshjet ndaj ekipeve të vendlindjes janë pak të sikletshme, por e kam kaluar tani këtë pjesë. Jam në një moshë që thjesht e shijoj. Edhe ju do e shijoni sepse është ndeshje radhë dhe në Shqipëri nuk ndodhin shpesh të tilla beteja dy javë para fundit.
Në Shqipëri vitet e fundit fituesit janë shpallur tre apo dy javë para dhe nesër është betejë e veçantë, kështu ta shijojmë. Patjetër që e pretendojmë titullin përderisa matematika na e lejon. Meqë mundësia është, sigurisht. Plus kemi edhe Kupën dhe kemi shans akoma më të mirë se kampionati për të marrë trofe.
Na duket më e lehtë në Kupë sepse kemi gjithçka në dorë. Mendoj se Partizani ka më shumë presion nesër. Ata janë ndërtuar për titullin kampion, kurse ne për Kupat e Europës. Tani përderisa erdhëm deri këtu, pse të mos e tentojmë. Gjithsesi, brenda objektivit jemi sepse 99% Europa League e kemi siguruar”, u shpreh Imami. /abcnews.al