Shkatërroi makinat në Trigoria, Scamacca: Babai s’ka lidhje me karrierën time, u trondita

schedule09:59 - 19 Maj, 2021

schedule 09:59 - 19 Maj, 2021

Babai i Gianluca Scamacca ka shkaktuar trazira në qendrën stërvitore të Romës dy ditë më parë, pasi ka shkuar në Trigoria dhe me një shufër hekuri ka dëmtuar 4-5 makina, mes tyre edhe atë të drejtorit sportiv të verdhekuqve, Tiago Pinto.

Ai nuk është mjaftuar me kaq, pasi i është drejtuar edhe një prej fushave ku po stërvitej një grup fëmijësh, që janë trembur së bashku me trajnerët. I veshur me fanellën e Sassuolo, klub që zotëron kartonin e Scamacca të huazuar tani te Genoa, ai është ndalur nga policia.

Sulmuesi i Italisë U21 ka reaguar për atë që ka ndodhur dhe me të vërtetë sjellja e babit të tij e ka lënë pa fjalë. “Babai im nuk ka pasur asnjëherë lidhje me karrierën time, veçanërisht në vitet e fundit.

Jam shumë i zhgënjyer dhe i tronditur nga ajo që ndodhi, por kam shumë pak kontakte me babanë tim. Me të vërtetë nuk di çfarë të them”, është shprehur Gianluca Scamacca, i cili në të shkuarën ka qenë pjesë e moshave te Roma.

Kjo ka ndodhur në periudhën 2012-2015, kur kishte kaluar te verdhekuqtë nga Lazio. Më pas ai u largua drejt Holandës, ku u bë pjesë e akademisë së PSV dhe tani është nën kontratë me Sassuolo. /abcnews.al