Shqipëria ka vuajtur shumë në sulm, pasi lojtarët që kanë për detyrë ta çojnë topin në rrjetë nuk kanë pasur shifra fort të mira në kampionatet ku luajnë. Sezoni i fundit ka qenë ndryshe dhe Rey Manaj e Myrto Uzuni janë ata që kanë shënuar më shumë se të gjithë.
Lushnjari, pjesë e Barcelona B, ka shënuar 14 gola në 22 ndeshje në ligën e tretë spanjolle, duke qenë shënuesi më i mirë i skuadrës së tij. Veç këtyre golave, Manaj numëron edhe tre gola me Shqipërinë, i fundit ndaj San Marino në kualifikueset e “Katar 2022”.
17 gola këtë sezon ka realizuar edhe Myrto Uzuni, i shpallur kampion në Hungari me fanellën e Ferencvaros. Beratasi e mbylli sezonin si shënuesi më i mirë i skuadrës së tij, ndërkohë që nuk duhet lënë pa përmendur që në javët e fundit të kampionatit nuk mori fare minuta.
Me Shqipërinë Uzuni shënoi kundër San Marinos në ndeshjen e fundit dhe në vëllazëroren me Kosovën, ndërkohë që nga të gjithë golat e këtij sezoni ai nuk mund të harrojë atë që shënoi në grupet e Champions League, kundër Juves, pas dy të tjerëve në fazat kualifikuese.
Fantastik ka qenë viti 2021 për sulmuesin Sokol Cikalleshi. Sulmuesi kavajas shënoi 8 gola në kampionat me fanellën e Konyaspor, ndërkohë që ka realizuar edhe katër të tjerë me kombëtaren e drejtuar nga Edi Reja, duke e mbyllur sezonin me 12 gola.
Një më pak ka shënuar Armando Broja, sulmuesi nga Malësia e Madhe që ka spikatur në Holandë me fanellën e Vitesse. Futbollisti i kombëtares shqiptare ka shënuar 10 gola në kampionat dhe një në kupën e Holandës, në gjysmëfinale. Shifra mjaft të mira, duke ditur se ky është sezoni debutuar për 19-vjeçarin ne Eredivise. /abcnews.al