Mimoza Studenica është dizajnerja nga Prishtina, e para në Kosovë e cila punon piktura në teknikën e artit artizanal “filigran në letër.” Në pikturat e saj janë të shfaqur artistët me famë botërore, si Marilyn Monroe, Mick Jagger, David Bowie, Bob Marley, The Beatles, si dhe shumë emra të njohur shqiptar si Nexhmije Pagarusha apo Leze Qena.
Në një lidhje me Skype për ‘Abc e Mëngjesit’, ajo ka treguar se mbështet shumë figurën e femrës, ndërsa ka theksuar se për punimet e saj ka pasur shumë interesime nga të huajt apo muzikantë.
“Ky art aplikativ është një teknik tjetër sa i përket pikturës, pasi fillimisht merren konturet më pas merren ngjyrat që kombinohen, merren pjesë-pjesë.
Marlyn Monroe e kam marrë një artiste që më ka pëlqyer në kohën e saj, ndërsa Nexhmije Pagarushën, Leze Qenën i kam marrë për shkak se kanë vdekur gjatë pandemisë. Gruan e kam paraqitur si një shtyllë të familjes.
Kam pasur interesime për dhuratë, kam pasur interesime nga të huaj, muzikantë, por edhe njerëz të zakonshëm.
Unë i bëj një skicim fillimisht, mandej filloj të bëjë hapat e tjerë. Letrat kushtojnë, por më tepër është durimi. Piktura do më shumë ngjyra, në rastin tim janë letra dhe durimi”, tha artistja./abcnews.al