Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu me anë të një postimi në rrjetet sociale ka falenderuar shtetet që sipas tij kanë qëndruar krah Izraelit në konfliktin që prej një javë po ndodh me Hamasin.
Mes shteteve që Netanyahu falenderon është edhe Shqipëria dhe Kosova.
“Faleminderit që qëndruat me vendosmëri me Izraelin dhe përkrahni të drejtën tonë për vetëmbrojtje ndaj sulmeve terroriste”, shkruan Netanyahu.
Më herët Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, ka reaguar për ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në Rripin e Gazës. Në reagimin e ministrisë, theksohet se sulmet me raketa kundër Izraelit janë të pajustifikueshme dhe rrezikojnë një përshkallëzim serioz të dhunës.
“Shqipëria është thellësisht e shqetësuar për përshkallëzimin e dhunës në Jeruzalem dhe brenda dhe përreth Gazës. Sulmet me raketa kundër Izraelit janë të pajustifikueshme dhe rrezikojnë një përshkallëzim serioz të dhunës që do të sillte një dëm si për civilët izraelitë dhe palestinezë. Ne u bashkohemi thirrjeve nga miqtë dhe aleatët tanë që qetësia të rikthehet dhe përshkallëzimi i mëtejshëm të shmanget”, thuhet në njoftimin e Ministrisë. E.L/abcnews.al/