Lëvizje në drejtorinë e policisë së Elbasanit. Tre vrasjet që tronditën këtë qytet në harkun e pak ditëve kanë bërë një “kokë turku”, që është shefi i hetimit, Gjon Gecaj, i cili është transferuar në sallën operative të drejtorisë së policisë Lezhë.
Në vendin e tij emërohet Krenar Guçe, i cili ka qenë më parë shef i sektorit anti-drogë në drejtorinë e policisë Tiranë dhe se fundmi oficer në sektorin e krimeve të rënda.
Por cilat ishin tre vrasjet që tronditën Elbasanin dhe kupolën e policisë?
Në datë 21 prill në kulmin e fushatës elektorale, 4 ditë përpara zgjedhjeve parlamentare u ekzekutua Pjerin Xhuvani, ndërsa prokuroria ka akuzuar për krimin Arbër Paplekën, ish-efektiv i RENEA-s, pjesë e skuadrës së PD-së për mbrojtjen e votës.
Në datë 6 maj u ekzekutua nga burri sapo doli nga gjykata Liljana Buzo 54-vjeç. Krimi përpara derës së drejtësisë ishte tronditës. Policia vendosi në pranga autorin e krimit 58-vjeçarin Koço Buzo, por nuk mundi të parandalonte ngjarjen e rëndë.
Në datë 11 maj u vra në një atentat mafioz Everest Çaka, në sy të gruas, e cila mori një plagë në dorë. 41-vjeçarit iu bë pritë në momentin që po shkonte te vjehrri. Pista kryesore ku po hetohet është saga e hakmarrjeve mes bandave që zanafillën e konflikteve e kanë jashtë vendit për shkak të drogës./ db/ Abcnews.al