OSBE në Shkodër: Konstatuam mangësi në luftën kundër kanabisit

schedule16:25 - 13 Tetor, 2018

schedule 16:25 - 13 Tetor, 2018

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka organizuar një takim në Shkodër për luftën kundër kanabisit. Kryesuesja e misionit të OSBE tha se institucionet vendore kanë patur mangësi në luftën kundër kanabisit. Ndërsa kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi akuzoi ish-drejtues të Policisë së Shkodrës se nuk kanë patur vullnet për të bashkëpunuar.

Dy prej qarqeve më problematike për kanabisin Shkodra dhe Vlora janë thirrur në një takim të përbashkët nga prezenca e OSBE në Shqipëri. Mbledhja u zhvillua në kryeqendren e veriut. Drejtoresha në detyrë e OSBE Katerine Kristesashvili u shpreh se institucionet vendore kanë patur mangësi në luftën kundër kanabisit.

Katerine Kristesashvill, Drejtore e OSBE: “Mangesia e njohurive nëpërmjet komuniteteve vendore dhe bashkëpunimi i dobët ndërinstitucional janë renditur, ndërsa sfidat më të mëdhaja për luftën ndaj këtij fenomeni. Për të adresuar këtë mangësi prezenca e OSBE ka ndihmuar Task Forcën e Shkodrës dhe Vlorës në 2018 me zbatimin e ndërgjegjësimit kundër kanabisit dhe ngritjen e planeve vendore rajonale”.

Kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi, tha se ka qenë mosbesuese ndaj policisë dhe pavarësisht rezultateve të arritura ka ende probleme.

Voltana Ademi, kryetare e Bashkisë Shkodër: “Ballafaqimi jonë ka qenë shumë i dhimbshëm edhe me drejtuesit e policisë. Është sigurisht ndërtimi i besueshmërisë jo vetëm me instuticionet, por sidomos për njerëzit, është pikë kyçe për suksesin. Unë jam shumë e sigurt që po të kishim atë drejtorin e policisë që ishte z.Alban Çela, se më pëlqen me i thënë dhe emrin, ne do të kishim një shifër në rritje, ashtu siç ishte deri në vitin 2016 edhe në Shkodër. Pavarësisht përpjekjeve që do të kishte edhe prefekti, OSBE-ja e me radhë.”

Për drejtorin e policisë së Shkodrës Vehbi Bushati, 2018-a është ndër vitet më të mira në luftën antikanabis.

Vehbi Bushati, drejtor i Policisë së Qarkut Shkodër: “Për 20 vjet, ky është rezultati më i mirë i cili nuk do të na bëjë as të vetëkënaqur, por do të na bëjë që ta çojmë drejt zeros fenomenin.”

Ky takim i organizuar nga OSBE do të vijojë edhe në zona të tjera në Malësinë e Madhe për të qenë sa më pranë komuniteteve në luftën kundër drogës./abcnews.al