Projekti për hartimin e “Historia e re e shqiptarëve” është një nga tri projektet e mëdha të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë së bashku me “Enciklopedia shqiptare” dhe Fjalori i madh i shqipes”.
Për të folur për këtë të projekt, në emisionin “Log” me Endri Xhafon, ishin të ftuar historiania Ana Lalaj, akademiku dhe historiani, Pëllumb Xhufi, historiani Neritan Ceka, historiani Paskal Milo si edhe kryetar i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi.
Për historianin Paskal Milo puna kërkimore arkivore është art më vete, ndërsa u shpreh se procesi i kërkimit është i pafund.
“Vetë zezakë vetë aga”, u shpreh ai duke shtuar se kushtet për të realizuar një punë kërkimore janë të vështira.
“Këto janë kushtet shqiptare. Për luftën unë kam 30 vjet që punoj. Kemi parë që puna kërkimore arkivore është art më vete. Procesi i kërkimit është i pafund”, tha Milo.
Në fjalën e tij Pëllumb Xhufi, u shpreh se publikut i jepet mundësia që të gjykojë vetë për ngjarje të ndryshme.
“Në 6 ekspedita që kam bërë, pjesën më të madhe e kam financuar nga buxheti im. Kam zbuluar një fond me rreth 2500 dosje, dhe tek të gjitha këto dosje mund të gjesh 20 apo 30 % material për Shqipërinë. Por duhet një ekip i tërë që të njohë latinishten apo italishten mesjetare.
Pra duhet të krijohen kushte, dhe duhet të ketë përgatitje edhe për greqishten e vjetër, gjithashtu na duhen edhe osmamistë. Këto janë prioritete me të cilët duhet patjetër të angazhohen institucionet tona”, Xhufi.
Ndërsa Skënder Gjinushi tha se synohet që pranë Akademisë të krijohet një qendër për Enciklopedinë si edhe për fjalorin i cili duhet të ndiqet në vijimësi.
“Ambicia jonë është që pranë akademisë të krijohet një qendër për Enciklopedinë, për fjalorin që duhet të ndiqet në vazhdimësi dhe ideja që hidhet tani që në histori të kesh grupe që përgatiten për të mbledhur të dhëna në arkiva. Pra problemi këtu nuk është fondi sepse nuk ka kufizim në para, por më shumë qëndrim tek cilësia”, tha Gjinushi.
Gjatë bisedës në studio historiania Ana Lalaj, tha se nisma që është marrë për një Botim Akademik nuk do të jetë një botim i ri, por një botim më i mirë se botimet e tjera.
/abcnews.al/