E ardhmja e CR7 lidhet me Sportingun e Lisbonës, klubin ku u rrit dhe hodhi hapat e para si futbollist. Këta të fundit fituan titullin kampion pas 19 viteve dhe sezonin e ardhshëm do të jenë pjesë e grupeve të Champions League.
Mamaja e sulmuesit portugez, Dolores Aveiro lumturoi tifozët e Sportingut me deklaratën e dhënë për Tvi24. “Do të udhëtoj drejt Italisë për të biseduar me Cristianon. Sezonin e ardhshëm do të luajë me Sportingun, do e bind unë“.
Fjalë jo të rastësishme. Mediat spanjolle raportojnë se 36-vjeçari ka vendosur të rikthehet në shtëpi pas plot 18 viteve. Ylli i futbollit botëror dëshiron të mbyllë këtë verë raportin me Juventusin, me të cilët ka edhe një vit kontratë.
Po rroga prej 30 milion eurosh? Paratë nuk janë më problem për fituesin e pesë ‘Topave të Artë’. Ronaldo ka vendosur të heqë dorë nga rroga e majme prej 30 milion eurosh dhe po pret me padurim për t’u rikthyer në Portugali. /abcnews.al