Konflikti Izrael-Palestinë ngre alarmin në Europë

schedule19:06 - 12 Maj, 2021

schedule 19:06 - 12 Maj, 2021

Tensionet në Lindjen e Mesme kanë shkaktuar alarm në Europë.

Ushtria Izraelite ka nisur qindra sulme ajrore në Rripin e Gazës që nga dita e hënë, ndërsa palestinezët kanë lëshuar më shumë se 1,000 raketa.

Dhjetëra palestinezë kanë humbur jetën, përfshirë edhe 14 fëmijë, ndërsa qindra të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e shpërthimeve intensive.

Ndërkohë nga vende të ndryshme kanë ardhur reagime për tensionet midis Izraelit dhe Palestinës.

Disa nga reagimet:

“Përplasjet e vazhdueshme dhe rritja e numrit të personave të vrarë dhe të plagosurve është një shqetësim serioz”, është shprehur Kremlini në një deklaratë zyrtare .

Ndërkohë zëvendës ministri i Jashtëm rus Sergei Vershinin, i bëri thirrje Izraelit që të ndalojë menjëherë aktivitetet në territoret palestineze, ndërsa shtoi po ashtu se Moska ka bërë thirrje që të respektohet “status quao-ja” e vendeve të shenjta të Jeruzalemit, shkruajnë mediat e huaja.

Kryeministri britanik Boris Johnson ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje.

“Mbretëria e Bashkuar është thellësisht e shqetësuar nga dhuna dhe humbja e jetëve të civilëve. Ne duhet të shohim në mënyrë urgjente një ulje të tensioneve mes vendeve”, ka shkruar Johnson në rrjetin social “Twitter”.

Nga ana tjetër presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel u bëri thirrje izraelitëve dhe Palestinëve që të ndalojnë luftimet për të shmangur viktimat.

“Jam shumë i shqetësuar nga dhuna dhe humbja e jetëve që po raportohet. Prioritet duhet të jetë de-përshkallëzimi dhe parandalimi i humbje së jetëve të pafajshme nga të dyja palët”, ka thënë Michel.

“Shpreh shumë shqetësim për përshkallëzimin e dhunës në Bregun Lindor, duke përfshirë Jeruzalemin Lindor si edhe në Gaza”, është shprehur Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare me qendër në Hagë.

Gjatë këtij konflikti avionët izraelitë kanë shkaktuar dëmtime të rënda në Gaza. Një thirrje për ndërprerje të sulmeve ka ardhur nga Gjermania.

Zëdhënësi i kancelares gjermane Angela Merkel, Steffen Seibert tha se qeveria gjermane dënon sulmet e njëpasnjëshme, kundër qyteteve izraelite, duke u shprehur se këto sulme nuk mund të justifikohen.

“Izraeli ka të drejtën të vetëmbrohet kundrejt këtyre sulmeve”, ka thënë ai.

Sakaq ministri i Jashtëm italian pas bisedimeve me homologun e tij gjerman deklaroi se dhuna mes Izraelit dhe Palestinës duhet të marrë fund menjëherë.

“Ne i kërkojmë të gjitha palëve të marrin menjëherë masa që synojnë de-përshkallëzimin,” tha Ministri i Jashtëm Italian Luigi Di Maio.

/abcnews.al/