Kanë qenë dy pasagjerë në makinën e Bledar Birçajt në momentin e ekzekutimit të tij në qytetin e Vlorës dy ditë më parë. Detajet e reja janë zbardhur nga grupi i hetimit. Përveç efektivit të policisë Granit Deromema, në automjet me viktimën ndodhej edhe një 20-vjeçar i identifikuar si Edison Zeneli që ka dalë nga dera e pasme.
Gjatë marrjes në pyetje, ai ka deklaruar se ka qenë i traumatizuar për shkak të plumbave të qitur nga armët e dy autorëve dhe nuk mbante mend thuajse asgjë nga ngjarja. Ndërsa Deromena u tha uniformave blu një ditë më parë se sulmi i gjeti të papërgatitur.
Pistë kryesore e grupit të hetimit është e shkuara e viktimës në Spanjë. Ai rezulton i dyshuar si i përfshirë në një tjetër ngjarje në vitin 2011, por hetimet në lidhje me këtë çështje u pushuan për mungesë provash. Së fundmi ai kishte qëndruar më shumë kohë në Spanjë prej nga bënte shpesh vajtje ardhje nga Shqipëria. Në Vlorë nuk njihej si person problematik por si biznesmen pasi ishte pronar i një lokali të quajtur “The Boss” të njohur në zonën e Lungomares.
Deri më tani në lidhje me këtë ngjarje janë shoqëruar më shumë se 15 persona për t’u marrë në pyetje. Ndërkohë në vendin e krimit policia ka gjetur më shumë se 30 gëzhoja. Dyshimet e uniformave blu janë se makina e autorëve mund të jetë fshehur në ndonjë garazh jo shumë larg zonës ku ndodhi vrasja pasi deri më tani nuk ka asnjë gjurmë prej tyre./mv.abcnews.al