Tre vite më parë Idriz Batha ishte shumë pranë transferimit në Greqi, në klubin e AEL Larissa. Të gjithë mediet tona e kishin raportuar si të kryer këtë lëvizje, por në fund ndryshoi gjithçka dhe arsyeja ishte një foto e gjirokastritit me simbolin e shqiponjës.
Vassilis Vanis, drejtor sportiv i Larissa në atë kohë, kishte zhvilluar një bisedë me mesazhe me agjentin e Bathës dhe i kishte shpjeguar gjithçka. Pas kësaj, agjenti i mesfushorit të Tiranës e hodhi në gjyq klubin dhe mësohet se së fundmi procesi ka mbaruar.
Bathës i është dhënë e drejta dhe ka arritur ta fitojë gjyqin për shkak se ai kishte firmosur kontratë për 3 vite me klubin grek për një pagë prej 250 mijë eurosh. Drejtori teknik, Vassilis Vanis dhe ish-CEO i klubit, Sotiris Markou e anuluan kontratën e Bathës, pa dijeninë se ajo ishte përfundimtare dhe njihej nga FIFA.
Agjenti rumun i Bathës e hodhi në gjyq klubin dhe Batha, me ndihmën e disa avokatëve izraelitë ka arritur të fitojë betejën ligjore. Larissa e apeloi çështjen në CAS, dhe kjo e fundit e reduktoi shumën në 150 mijë euro, nga 250 sa ç’pretendonin avokatët dhe FIFA i dha të drejtë.
Siç e tregon vetë klubi përmes një deklarate, është gjetur akordi me Bathën për ta paguar borxhin me këste dhe mesfushori i Tiranës merr menjëherë 1/3-ën e shumës, pra 50 mijë euro. Pjesa tjetër do paguhet në muajt në vijim.
ÇFARË I SHKRUANTE DREJTORI I LARISSA, AGJENTIT TË BATHËS 3 VITE MË PARË – “Së pari, ju më keni dërguar një mesazh të keq dhe për këtë arsye unë po ju përgjigjem. I vetmi që ka bërë gabime, të cilat çuan në dështimin e këtij transferimi jeni ju, pasi ju na keni thënë se lojtari ka disa oferta, për shembull nga Astra në Rumani.
Më pas ju kërkuat një rrogë prej 8 mijë euro në sezon, duke na thënë se klubin aktual ai paguhej me 6 mijë euro, ndërsa ne mësuam se ai merrte vetëm 4 mijë euro. Përtej këtyre, arsyeja kryesore e dështimit të këtij transferimi është sepse ne kemi pare në internet foto të lojtarit, ku ai bën shqiponjën me dy duart, simbolin e Shqipërisë së Madhe.
Kjo është një gjë shumë e keqe, pasi ne kemi shumë lojtarë serb ne skuadër dhe Shqipëria e Madhe përfshin shumë rajone të Serbisë, Maqedonisë dhe Greqisë dhe fansat mund te zhgënjehen shumë nga kjo gjë.
Ta shpjegova këtë gjë edhe ne telefon dhe po ta them edhe këtu. Nuk do doja që ky mesazh të bëhej publik, pasi ende ruaj respekt për ju. Vassilis Vanis, drejtor sportiv AEL Larisa”, shkruhej në mesazhin që drejtori sportiv i klubit grek që i ka dërguar agjentit të Idriz Bathes. /abcnews.al