Trump spiunoi tre gazetarë të Washington Post që hetonin për ndërhyrjet ruse

schedule15:55 - 10 Maj, 2021

schedule 15:55 - 10 Maj, 2021

Administrata Trump ka marrë në mënyrë sekrete regjistrimet telefonike të reporterëve të Uashington Post që shkruanin për akuzat rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016-ës.

Lajmi është publikuar nga vetë e përditshmja amerikane. Departamenti amerikan i drejtësisë i ka drejtuar një letër gazetarëve Eelen Nakashima dhe Greg Miller si dhe ish reporterit Adam Entous. Duke thënë se kishin marrë të gjitha tabulatet e tyre telefonike personale dhe profesionale për periudhën 15 prill 2017 – 31 korrik 2017.

Uashington Post ishte thellësisht i shqetësuar nga përdorimi i pushtetit nga ana e qeverisë për të pasur qasje në bisedat e gazetarëve. Drejtori i të përditshmes Kamerun Bar, u shpreh se departamenti amerikan i drejtësisë duhet të hetojë pasi është dhunuar e drejta e gazetarëve që mbrohet nga amendamenti i parë i kushtetutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Unioni për lirinë civile amerikane u shpreh se departamenti i drejtësisë ka spiunuar gazetarët për të përmbushur kapriçot e qeverisë dhe një gjë e tillë nuk duhej të kishte ndodhur asnjëherë. Në momentin që qeveria spiunon gazetarët dhe burimet e tyre, komprometon lirinë e medias.

Nga ana e tij departamenti amerikan i drejtësisë, deklaroi se ka ndjekur procedura të vendosura që më parë. Letrat e dërguara gazetarëve nuk kanë specifikuar arsyen për të cilat janë sekuestruar tabulatet. Por në fund të asaj periudhe, tre gazetarët shkruan një histori për shërbimin amerikan të inteligjencës i cili sugjeronte që Xhef Sesions – që u bë prokuror i përgjithshëm gjatë presidencës së Trump – kishte diskutuar rreth fushatës së Trump me ambasadorin rus. Moska akuzohet se mbështeti kandidaturën e Donald Trump në vitin 2016, duke e ndihmuar të fitojë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!