Mbi 10 plumba janë qitur nga arma tip kallashnikov mesditën e sotme në Vlorë kur mbeti i vrarë 40-vjeçari Bledar Birçaj. Është ky rezultati paraprak i grupit të hetimit i cili ndodhet në vendin e ngjarjes në zonën e quajtur Bishti i Kalldrëmit në Vlorë.
Burime bëjnë me dije për gazetarin e ABC Enton Nikaj se tashmë policia është vënë në ndjekje të automjetit me të cilin po lëvizte autori. Uniformat blu kanë ngritur disa postblloqe në dalje të qytetit.
Ngjarja ndodhi rreth orëve të mesditës ku autori i cili ndodhej në lëvizje me një makinë qëlloi me kallashnikov në drejtim të automjetit BMW X5 ku po udhëtonte Birçaj së bashku me një person tjetër.
Pasagjeri mundi të shpëtojë, ndërkohë që Birçaj u dërgua në spital ku ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra. Viktima rezulton të jetë pronar i një lokali të njohur në Lungomare./mv.abcnews.al