Maxhoranca nuk humb kohë, cakton kryetarin e Komisionit për shkarkimin e Metës, pjesë dhe opozita

schedule20:31 - 6 Maj, 2021

schedule 20:31 - 6 Maj, 2021

Caktohet kryetari i Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Burime bëjnë me dije për ABC se në krye të këtij komisioni do të jetë deputeti socialist Alket Hyseni.

Pjesë e tij do të jenë edhe tre deputetët e opozitës parlamentare, Myslim Murrizi, Halil Jakimi dhe Arlind Çaçani.

Emrat pritet t’i dërgohen për miratimin ditën e nesërme Kuvendit i cili do të mblidhet për të dytën herë gjatë kësaj jave në seancë plenare.

Presidenti Ilir Meta ishte thirrur ditën e sotme në Komisionin e Ligjeve për t’u njohur me argumentet e 49 deputetëve socialistë që kanë kërkuar shkarkimin e tij.

Kreu i shtetit nuk u paraqit në komision, ndërkohë që presidenca sqaroi se arsyeja ka qenë axhenda dhe takimet për të cilat sipas saj ka qenë në dijeni edhe vetë qeveria.

Në raportin e dërguar nga 49 deputetët e PS, vlerësohet se shkaqet që kërkojnë shkarkimin e Presidentit janë kryerja e shkeljeve të rënda, flagrante dhe në mënyrë të përsëritur të Kushtetutës si dhe sjellja në kundërshtim të hapur me funksionet që i parashikon Kushtetuta.

/mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!