“Alternativa për Gjermaninë” kundërshton anëtarësimin e Ballkanit në BE

schedule22:17 - 10 Tetor, 2018

schedule 22:17 - 10 Tetor, 2018

Alternativa për Gjermaninë, partia e djathtë në vend ka bërë të qartë dhe me anë të programit të saj, se nuk është dakord për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në Bashkimin Europian.

Pak ditë para zgjedhjeve në Bavari, partia e djathtë gjermane, “Alternativë për Gjermaninë” kundërshton me këmbëngulje anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Sipas dy politikanëve, vendet e Ballkanit janë jo vetëm gjeografikisht, por edhe kulturalisht në kufij të BE-së. Ata veçuan sidomos Shqipërinë, duke sjellë si shembull ndikimin e Turqisë në Shqipëri, manifestuar me xhaminë e madhe në Tiranë të financuar nga qeveria e Erdoganit.

AfD ka ndërmend që për zgjerimin e BE-së me këto vende të pyetet jo vetëm, siç parashikon ligji aktual, Bundestagu, por i gjithë populli votues me anë të një referendumi.

Në një konferencë për shtyp në Berlin, zëdhënësi i kësaj partie për çështje të BE-së, Harald Ueiel, dhe raportuesi i Ballkanit Perëndimor, Sigbert Droese, dhanë si shkakun kryesor për mospranimin e Ballkanit Perëndimor në BE lidhjen e korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisë me krimin e organizuar.

Droese theksoi se ky model është shndërruar në modelin e qeverisjes në vendet e Ballkanit dhe se kundërshton idenë që në vitin 2025 të hyjnë në BE vendet e para, si për shembull, Mali i Zi ose Serbia.

Një shqetësim tjetër i lidhur me këtë refuzim ndaj Ballkanit Perëndimor për partinë  më të djathtë populiste të Gjermanisë është rritja e peshës së vendeve të Evropës Lindore dhe Jugore me anëtarësimin e tyre në BE. AfD për këtë arsye propozon që këto vende të krijojnë një union të tyre, sipas modelit të vendeve Beneluks.

“Alternativa për Gjermaninë” është e vetmja parti e Bundestagut gjerman që është kundër anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE. Ajo zë vetëm 12,6 përqind të vendeve në Bundestag, por, për shkak të qeverisë së koalicionit të madh mes CDU/CSU dhe SPD, konsiderohet si partia kryesore e opozitës.

E krijuar në vitin 2013, AfD është e përfaqësuar në thuajse të gjitha parlamentet e landeve, përveçse në Hessen dhe Bavari. Sa i përket Bavarisë, kjo gjendje pritet të ndryshojë në favor të AfD-së të dielën e ardhshme kur do të zhvillohen zgjedhjet për parlamentin e landit. Sipas anketimeve paraprake, AfD-ja pritet të fitojë 10 deri 14 përqind të votave./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!