Interi dominoi futbollin italian këtë sezon, rrëzoi Juventusin nga froni dhe ia doli të fitojë titullin kampion pas 11 viteve. Ecuria në skuadrën zikaltër është fantastike, por ndryshe paraqitet situata në klub. Pandemia ka ndikuar për keq dhe gjendja ekonomike është problematike.
Javier Zanetti, ish-kapiteni i famshëm i Interit, i cili mban postin e zv presidentit të kampionëve të Italisë, ka prekur disa tema në rrëfimin e bërë për La Nacion. “Fjalët e mia në lidhje me pronarët e klubit janë keqkuptuar.
Unë jam shprehur se ata e kanë mbështetur gjithmonë Interin, pavarësisht krizës së madhe globale që shkaktoi koronavirusi. Ne kemi kaluar dhe po kalojmë probleme të mëdha financiare, do na duhen disa vite për të marrë veten dhe për të gjetur ekuilibrin financiar.
Kemi nevojë që njerëzit të rikthehen në stadiume. Një gjë e tillë do ndikonte në tërheqjen e sponsorëve. Interi do të fillojë të rritet në momentin që do t’i rikthehemi normalitetit. 102 milion euro humbje? Fatura ishte edhe më e lartë…
Situata është e vështirë, nuk ka pse të fshihemi, por fitimi i titullit duhet të na shërbejë si një pikë nisje. Duhet të jetë baza e projektit tonë, por ne drejtuesit duhet të jemi të qartë se çfarë drejtimi do të ndjekim“, deklaron ish-kapiteni, i cili më pas flet edhe për Super League.
“Një ide që zgjati pak, përgjigjen e dhanë vetë tifozët. Super League ishte një gabim, ne duhet të mësojmë nga gabimet, por kjo që ndodhi do ndihmojë UEFA-n dhe FIFA-n për të gjetur së bashku me klubet një zgjidhje që përmirëson futbollin”.
Në fund Antonio Conte, ai që udhëhoqi skuadrën zikaltër drejt shpalljes kampion. “Antonio më ka dhënë hapësira dhe besim për të qenë në kontakt të ngushtë me lojtarët. Meritat e tij shkojnë përtej fitimit të titullit: bindi grupin ta ndiqnin në të gjithë aspektet“. /abcnews.al