A mund të shkarkohet Meta? Bujar Nishani: Ka vetëm një “ndëshkim”, PS po prish imazhin e vendit

schedule22:00 - 4 Maj, 2021

schedule 22:00 - 4 Maj, 2021

Në cilësinë e ish-kreut të shtetit, Bujar Nishani ka komentuar nismën e maxhorancës për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Nishani deklaroi në “Përballë” se kemi të bëjmë me një qëndrim të sforcuar të maxhorancës që nuk është serioz dhe në këtë rast dëmton imazhin e vendit. Ai theksoi se në rastin kur një president mban qëndrime politike, “dënimi” i vetëm mund të jetë largimi me votë në fund të mandatit.

“Unë në këtë rast, jam një person që kam qenë president republike. Kam rekordet e mia të sjelljes institucionale. Presidenti nuk mund të gjykohet për shkarkimin e tij për shkak të deklaratave të tij. Presidenti shkarkohet për shkelje të rëndë dhe tradhti ndaj vendit.

Është një qëndrim i sforcuar i maxhorancës. Mendoj që nuk është serioz. Qëllimet politike të presidentit gjykohen nga parlamenti dhe kur vjen momenti i votimit nuk e votojnë më.

Të tjerat pastaj dëmtojnë vetëm imazhin e vendit. Mekanizimi i vetëm që e shkarkon presidentin është Gjykata Kushtetuese. Nuk shoh që ka prova që presidenti ka kryer ndonjë shkelje të rëndë apo tradhti të lartë kombëtare”, u shpreh Bujar Nishani./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!