Një polic bashkiak mbeti i plagosur pasditen e djeshme në Berat. Mikale Kurti, 55 vjeç goditi efektivin, pasi ka kundërshtuar ekzekutimin e një vendimi nga punonjësit bashkiakë.
Burbuqe Elezaj ka rrëfyer sesi ka ndodhur ngjarja pasi ka qenë prezente gjatë përplasjes. Ajo thotë se ishte futur prej disa vitesh së bashku me djalin e sëmurë në një shtëpi me Mikaelin, ku qiraja e shtëpisë paguhej nga bashkia.
Pas prishjes së shtëpisë në fshatin Palikësht nga përmbytjet dhe më pas nga tërmeti, Burbuqja dhe djali i saj i sëmurë janë strehuar nga bashkia, fillimisht në konviktin e vajzave të shkollës mekanike në lagjen “Dëshmorët e Kombit” ku u nxorën me forcë nga policia, më pas tek Stadiumi Tomorri dhe prej disa vitesh në një ndërtesë dy katëshe në lagjen “Kushtrim”.
“Mua më sollën me djalin në këtë banesë dhe disa muaj më vonë në një nga dhomat e shtëpisë sollën e strehuan edhe Mikaelin. Nuk e kuptoj sesi bashkia solli për të jetuar një burrë në një shtëpi ku jetoja unë me djalin dhe pa burrë. Fillimisht u tremba por Mikaeli ishte njeri shumë i mirë dhe nuk ka shfaqur asnjëherë probleme.Dje erdhën rreth 15 punonjës të bashkisë për ta nxjerrë me forcë nga dhoma duke i thënë “dil se e ke shtëpinë tënde gati, na çelësat”. Dëgjova Mikaelin që po i thoshte se shtëpia ishte shqyer dhe pa derë, filluan debatet dhe më pas pashë disa pika gjak që po rridhnin nga dora e njërit nga policët bashkiak. Pastaj erdhi furgoni dhe Mikaelin e rrahën keq policat dhe e futën brenda në furgon”-, ka thënë Burbuqe Elezaj. /abcnews.al