Nga Silvi Sulaj
Gliqeri Lako ka lindur, rritur dhe plakur në Muzinë.
Ka mbi një vit që sheh vetëm bashkëfshatarët dhe gëzohet kur dëgjoi zëra të rinj.
“Kam 83 vite që jetoj këtu në Muzine .. vajzë këtu martuar këtu plakur ketu. Sa isha e re mirë ishte tani, kanë ikur fëmijët kam mbetur vetëm. Ç’jetë është kjo ?! Jetë e mirë është, mos te kesh femijët? Ja prandaj dola këtu se dëgjova zërat tuaj. Na mori malli të shohim njerëz. Fëmijët i kam në emigrim. Dëgjova zërat tuaj edhe dola, u ndjeva mire, po juve jeni për të ikur nuk jeni për të ndenjur këtu me neve, ne jemi vetëm”, thekson e moshuara.
“Muzinës tani nuk i ka mbetur asgjë. Një gjë hiç, kanë ngelur 5 pleq të vjeter. dhe rinia nuk ekziston fare me këtë pandemi u mbyllëm e u mbyllem fare”, shkrehet kryefamiljari.
Ajo dhe bashkëshorti i saj Vasili ndjehen shumë të vetmuar pasi prej pandemisë nuk takohen dot as me fëmijët.
Mbrohen shumë prej virusit pasi nëse covid i prek ata nuk kanë një mjek në fshat që t’ju shërbejë.
“Frika ka qenë për të gjithë edhe kur dalim ruajmë distancën mbajmë maska kur dëgjojmë kanë vdekur e njerëz jemi borxhlinj ca nga mosha”, shprehet Vasili.
Çifti Lako na fton në këtë banesë shumë të vjetër. Janë shumë mikpritës dhe ishte e pamundur të refuzonim glikonë e qershisë të përgatitur nga Gliqeria.
Më pas na tregojnë histori të bukura nga rinia e tyre, që nuk i kemi jetuar por vetëm parë në filmat bardhë e zi të kinostudios.
“Me e mirë jeta atëherë, kisha fëmijët. Bënim mbrëmje, merrnin një manetofon”, thotë Gliqeri.
“Në ato kohëra benim “Suare” këngë e valle e gdhinim për festën e 1 Majit në këto festat kombëtare që festoheshin nga fshati. Mblidheshim sidomos ne stinën e verës mblidheshim në sheshe këndonim hanim pinim merrnim valle”, thotë ndër të tjera Vasili.
Dy të moshuarit jetojnë me pensionet dhe me prodhimet bujqësore që mbjellin në bahçen e shtëpisë. /abcnews.al