Katër kushërinj janë arrestuar nga policia pasi kanë dhunuar 38-vjeçarin Ylli Kacoli, i cili shpërndau një rrjetet sociale një video ku një banor deklaron se një parti politike i ka dhënë 20 mijë lekë për katër vota.
Në pranga janë vënë Mirash Paplekaj 46 vjeç, banues në Torovicë, Gëzim Paplekaj 50 vjeç banues në lagjen Besёlidhja Lezhe, Donald Paplekaj 22 vjeç banues në lagjen Besёlidhja Lezhe dhe Jetmir Paplekaj 29 vjeç banues ne fshatin Bleran Shkodёr.
Burime bëjnë me dije për ABC se ngjarja ka ndodhur në fshatin Torovicë ku katër kushërinjtë kanë dhunuar dhe presionuar 38-vjeçarin nga Kamza, dhe më pas i ka dëmtuar edhe automjetin e tij, në mënyrë që ai të bëjë deklarim të rremë në lidhje me videon.
Dy ditë më parë policia e Lezhës shoqëroi 50-vjeçarin që shfaqej në video. Gjatë deklarimeve ai është shprehur se i ka marrë paratë pa deklaruar subjektin politik që e ka paguar. /mv.abcnews.al