“Colours of Albania 2018”, fiton foto e fushës me livandë në Koplik

schedule13:55 - 7 Tetor, 2018

schedule 13:55 - 7 Tetor, 2018

Ka përfunduar konkursi i përvitshëm “Colours of Albania 2018”.  Ndër 35 mijë fotot e publikuara, çmimi i parë i është dhënë fotos me fusha me livandë në Koplik.

Kalaja e Rozafës në Shkodër është veshur me ngjyrat e Shqipërisë këtë fundjavë. Në festën përmbyllëse të konkursin të përvitshëm “Colours of Albania 2018”, mes 35 mijë fotove të publikuara në 6 muaj, një rekord i të katërt edicioneve, u përzgjodhën pesë fotot fituese.

Vendin e parë e mori fusha me livandë në Koplik, me autore Erisa Shaba.

Mbrëmja është çelur nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, i cili theksoi se komponenti kulturor ndihmon në rilidhjen e Shqipërisë me Evropën, me vlerat evropiane dhe civilizimin evropian.

Përmes këtij konkursi ku çdo shqiptar e i huaj kanë pasur mundësi të postojnë fotot e tyre me imazhet e Shqipërisë, ne kemi treguar atë çka është më e mira nga ne.

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi e quajti një gjetje të zgjuar zhvillimin e aktivitetit në kalanë e Shkodrës duke promovuar kulturën, trashëgiminë kulturore dhe duke promovuar vlera si kjo kala 2500 vjeçare.

“Ne jemi këtu për t’i bërë thirrje shumë e shumë turistëve që të vijnë të vizitojnë Shqipërinë dhe të shohin sa e bukur është ajo. Nëpërmjet fotove ajo duket e mrekullueshme”.

Gjithashtu aktiviteti mori dhe vlerësimin e Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, i cili në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se delegacioni i BE-së ka qënë një mbështetës i fuqishëm i këtij eventi që i ka treguar të gjithëve më të mirën dhe më të bukurën e asaj që Shqipëria ofron duke e quajtur eventin një edicion përmbyllës  të suksesshëm.

Motoja e këtij viti e Colours of Albania ishte “Trashëgimia kulturore dhe përkatësia europiane”, e cila përkon me lajtmotivin e Bashkimit Europian për vitin 2018. Për 6 muaj qytetarët me fotografitë e tyre u bënë diplomatë duke promovuar bukuritë e vendit.

Në një atmosferë festive, ekpozitë të 40 prej fotove më të mira, produkteve tradicionale dhe muzikës së Shpat Dedës, të pranishmit shijuan një fundjavë ndryshe, larg rutinës.

Ngjyrat e Shqipërisë do të kthehet sërish vitin e ardhshëm. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!