Këtë të premte do të zhvillohet seanca e radhës në Gjykatën Speciale në Hagë për ecurinë e çështjes së rastit ndaj krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se kjo konferencë do të fillojë nga ora 11:00. Gucati dhe Haradinaj po vazhdojnë të mbahen në paraburgim që nga viti i kaluar, nën akuzat për vepra penale të pengimit të administrimit të drejtësisë.
Pak muaj pas arrestimit, prokurorët e specializuar kishin ngritur aktakuzë ndaj tyre, e cila ishte konfirmuar më 14 dhjetor 2020. Sipas aktakuzës, Gucati dhe Haradinaj, në prill dhe shtator 2020, bënë deklarata akuzuese për dëshmitarët që bashkëpunojnë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe persona tjerë.
Prokuroria i ngarkon ata për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës./abcnews.al