Presion i madh tek Flamurtari

schedule20:42 - 6 Tetor, 2018

schedule 20:42 - 6 Tetor, 2018

Flamurtari është nën presion për të reaguar në ndeshjen e radhës në Superligë. Vlonjatët janë kritikuar nga vetë presidenti I tyre, por trajneri Daja mbetet me besim.

U mendua se këto humbje ishin lënë pas, por nuk qe e thënë. Flamurtari është nën presion të madh për shkak të 3 disfatave në 4 ndeshjet e fundit të Superligës, ndaj detyrimi duket i plotë për të reaguar në fushën e Kamzës.

Aq më tepër, kur presidenti Idrizi lëshoi një kritikë me sarkazmë, kur u shpreh se “këta nuk fitojnë dot 5 ndeshje”. Trajnerit Daja i doli detyrë që të ngrinte moralin dhe të mbronte skuadrën përpara mediave.

“Jemi detyruar që të rekuperojmë pas asaj ndeshjeje në rezultat do të thosha dhe ky është fokusi jonë kryesor sepse në performancë në ndeshjen e fundit kemi bërë më mirë sesa në ndeshjet e tjera, por që në fund fare më të rëndësishme nga të gjitha janë pikët. Përveç Partizanit që ka bërë maksimumin dhe ka marrë 16 pikë të gjitha e kipet e tjera janë tre pikë larg ata që quajmë rivalët tanë. Kështu që nuk është ndonjë gjë për t’u alarmuar”, tha Daja.

Gjithsesi, Daja e quan të vështirë ndeshjen ndaj një ekipi si Kamza.

“Për vetë faktin që këto javët e fundit ekipi kundërshtar nuk ka pasur një gjendje të mirë dhe kërkon që të rekuperojë gjendjen që ka në tabelën e klasifikimit. Dimë që ka një grup lojtarësh me shumë eksperiencë në kampionatin shqiptar”, u shpreh trajneri i Flamurtarit.

Lojtari me përvojë, Artim Pollozhani, nuk mund të mos flasë për diçka që e shqetëson.

“Ka një vite e gjysmë që jam unë këtu dhe jemi mësuar me këtë fakt që të jepet penallti për Flamurtarin duhet të jetë 200% sade. Nuk e di çfarë do ndodh në Kamëz. Shpresoj që do të jetë një arbitrim korrekt”, tha ai.

Flamurtari do të ketë sërish mungesa, pasi Alla nuk është ende gati, po ashtu Kale nuk është pjesë e grupit, ndërsa Sirgi e Mustafi mbeten të lënduar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!