Humbja 1-2 në shtëpi kundër Manchester City e bën shumë të vështirë kalimin e PSG-së në finalen e Champions League. Trajneri i kampionëve të Francës, Mauricio Pochettino analizoi takimin e parë gjysmëfinal, teksa beson se gjithçka mund të ndodhë në ishull.
“Në pjesën e parë luajtëm shumë mirë. Krijuam raste për gol dhe e merituam avantazhin, por ata u treguan më të aftë se ne në pjesën e dytë. Kishin fat te dy golat që shënuan, por duhet ta pranojmë që krijuan më shumë se ne.
Jemi shumë të zhgënjyer nga dy golat e pësuar, është e vështirë t’i pranosh dy gola të tillë në një sfidë gjysmëfinale, e dhimbshme. Vuajtëm në rikuperimin e topave, ata ishin më agresivë se ne në aspektin fizik.
Kualifikimi? Në futboll nuk duhet humbur kurrë besimi. Do të përpiqemi të fitojmë në Manchester. Sigurisht që ndodhemi nën presion, por në futboll duhet të provosh gjithmonë për të fituar“, deklaroi trajneri i PSG-së. /abcnews.al