Me “zemër në dorë” deri në fletën e fundit, djali i ish-deputetit që po thyen listën e PS, po Majko?

schedule23:55 - 28 Prill, 2021

schedule 23:55 - 28 Prill, 2021

Kandidatët për deputetë në listën e PS-së në Tiranë janë me “zemër në dorë” deri në votën e fundit preferenciale që do të numërohet. PS arriti që të siguronte 18 mandate në Tiranë, por askush nuk e ka vendin e sigurt, pasi herësi mund të prodhojë surpriza deri në minutën e fundit.

Deri në orën 23:30 të mbrëmjes së të mërkurës në qarkun e Tiranës janë numëruar 576 nga 1243 QV në total dhe në garë për të thyer herësin, pra listën e partisë janë dy kandidatë njëri prej të cilëve shumë pranë, Fatmir Xhafaj.

Ish-ministri është i dyti në listën e më të preferuarve me 8500 vota, pra vetëm 1500 larg numrit magjik, 10 mijë që e ngjit automatikisht dhe nga pozicioni i 23-të që e vendosi Edi Rama e çon direkt në legjislaturën e re të parlamentit.

E ndërsa për Xhafajn kishte pritshmëri pasi është pjesë e gardës së vjetër të PS-së, një emër surprizë që renditet i treti në listën e më të votuarve (PS e vendosi të 30-tin) është djali i ish-deputetit të PDIU-së, Aqif Rakipi, Ornaldo Rakipi me 6642 vota. Shanset janë që të jetë në garë deri në kutinë e fundit, pasi ende nuk janë numëruar gjysma e kutive.

Përpos surprizave ka edhe zhgënjim nga pritshmëritë, të paktën deri tani, e theksojmë. Ish-kryeministri Pandeli Majko i 19-ti në Tiranë “lufton” për një mandat në Kuvend përmes votës preferenciale. Aktualisht Majko renditet në vendin e 11 në listën e më të votuarve me 2834 vota, rruga përpara është shumë e gjatë.

Mimi Kodheli është një tjetër emër, që renditet poshtë në listë, e 16 me 1959 vota duke e bërë shumë të vështirë të thyejë renditjen e partisë që e vendosi të 21-tën.

Megjithatë deri në fund gjithçka mund të ndodhë…/ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!