Vrasja në Bllok/ Policia arreston Hotin, qëlloi me armë gjatë konfliktit

schedule13:11 - 6 Tetor, 2018

schedule 13:11 - 6 Tetor, 2018

Policia e Tiranës ka arrestuar një tjetër nga personat e pranishëm në vrasjen e ndodhur në ish-bllok mbrëmjen e së enjtes. Geldo Hoti u prangos disa orë pasi u ndalua në pikëkalimin kufitar të Kakavijës, teksa po largohej drejt Greqisë. Sipas policisë, ai ka qëlluar me armë në ngjarje.

Policia e Tiranës ka prangosur një tjetër person në lidhje me vrasjen e Fabiol Gaxhës dhe plagosjen e dy të tjerëve mbrëmjen e së enjtes në zonën e ish-bllokut në kryeqytet.

Ai është Geldo Hoti, 37 vjeç, banues në Tiranë. Sipas policisë, Hoti ka qenë i pranishëm në ngjarje dhe është një nga personat që ka përdorur armë zjarri në konflikt.

Përmes një njoftimi zyrtar policia e kryeqytetit sqaroi se ka dyshime se 37 vjeçari ka qëlluar me armë zjarri në momentet e sherrit të dhunshëm ku u vra Fabiol Gaxha dhe u plagos Elvis Martinaj e Eljon Hato. Hoti u ndalua nga forcat e policisë të pikëkalimit kufitar të Kakavijës mbrëmjen e së premtes, teksa po tentonte të largohej nga vendi drejt Greqisë.

Ai do të procedohet për veprën penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë pesonave, mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëe luftarake”.

37 vjeçari Hoti është personi i tretë që prangoset nga policia për llogari të ngjarjes që tronditi kryeqytetin. Dy personat e tjerë të ndaluar për ngjarjen dhe të akuzuar për të njëjtat vepra penale janë të plagosurit Ervis Martinaj dhe Eljon Hato.

Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim të dashurin e këngëtares Elvana Gjata, Ervin Mata, si edhe Fabian Allushi dhe Marvjol Bilo. /abcnews.al