Pesë ditë përpara zgjedhjeve të 25 Prillit, drejtoresha e ISHP-së Albana Fico ka firmosur urdhrin me protokollin që specifikon të gjitha rregullat hap pas hapi sesi duhet që të votojmë. Në protokoll kërkohet që të gjithë duke filluar nga anëtarët e komisionit dhe votuesit duhet të jenë të pajisur me maskë.
Në mëngjesin e ditës së diel në orën 07:00 të mëngjesit të parët që do të paraqiten në qendrat e votimit janë anëtarët e komisioneve që do të lejohen që të futen vetëm nëse do të kenë një formular vetëdeklarimi që paraqet gjendjen e tyre shëndetësore, nëse kanë temperaturë apo simptoma të COVID-19.
Nëse kanë ethe apo shqetësime të tjera ISHP u kërkon që të qëndrojnë në shtëpi. ISHP kërkon që salla e votimit mundësisht të jetë në katin e parë dhe të ketë sa më shumë ajrosje. Në hyrje të saj duhet të vendoset një dezinfektant. Kutia e votimit duhet të jetë 2 metra larg anëtarëve të komisionit të cilët do të jenë të vendosur 1.5 metra larg njëri tjetrit në mjediset që kërkohet që të jenë dezinfektuar përpara nisjes së procesit të votimit.
Për të mbarëvajtur të gjithë procesin, ISHP kërkon që të jetë një person që të kontrollojë zbatimin e rregullave. Edhe jashtë ambienteve të qendrës së votimit kërkohet që të mos ketë grumbullime dhe qytetarët të presin në radhë për të votuar me distancë 1.5 metra larg njëri tjetrit. Të gjithë personat që janë të infektuar me COVID-19 nuk u lejohet dalja nga shtëpia dhe praktikisht votimi në 25 Prill.