Liverpool-i ndihet me më shumë besim pas barazimit ndaj Chelsea-t në Premier Ligë. Trajneri Jurgen Klopp u shpreh i kënaqur me lojën e skuadrës së tij që synon titullin.
Nuk mund të humbej për herë të dytë.
Liverpool-i ishte i vendosur të mos e lejonte një tjetër gabim ndaj Chelsea-t, një rivali direkt këtë sezon, sidomos në garën kryesore, Premier Ligë.
Punë e madhe për eleminimin e mesjavës, në fund të fundit bëhej fjalë vetëm për Kupën e Ligës, ndërsa tani luftohej për kampionatin.
Trajneri Jurgen Klopp u ndje i lumtur nga paraqitja e skuadrës së tij, që mbeti e pathyer, dhe në krye, ndonëse pas Mançester Sitit për efekt golaverazhi.
Golit të Eden Hazard-it, iu përgjigj shkëlqyeshëm Daniel Sturridge, ndërsa Mohamed Salah sërish nuk arriti të tregonte veten.
Gjithsesi, Klopp nuk e humbi besimin tek egjiptiani.
“Padyshim që ishte një pikë e merituar, – theksoi Klopp, – të dyja skuadrat meritonin nga një pikë, por ne kishim më shumë raste. Mendoj se bëmë një lojë të madhe dhe e gjithë skuadra po kërcente dhe këndonte pas përfundimit. Jam i lumtur për Daniel Sturridge, që është në formën më të mirë që unë mbaj mend. Gjithsesi, kam besim të plotë tek Mohamed Salah, ndërsa tani duhet të mendojmë për Napolin dhe pastaj për Manchester City-n”.
Po Chelsea si doli nga kjo përballje?
Tifozët në “Stamford Bridge” prisnin tjetër gjë, por gjithsesi, ecuria e skuadrës ka qenë e shkëlqyer nën drejtimin e Maurizio Sarrit.
Blutë e Londrës janë vetëm 2 pikë prapa kreut, me një golaverazh thuajse të njëjtë me Liverpool-in.
“Jemi më pranë Liverpool-it dhe Manchester City-t sesa mendoja fillimisht, – u shpreh trajneri italian, – gjykoj se mund ta kalojmë këtë diferencë brenda këtij sezoni, por duhet të përmirësohemi ende. Jo vetëm për të fituar titullin, por sidomos për t’u kualifikuar në Champions, do të ketë rivalitet mes 5-6 skuadrave, ndër më të mirat jo vetëm në Angli, por edhe në Europë. Sa për Hazard-in, mendoj se ai mund të shënojë 40 gola këtë edicion”.
Të dielën e ardhshme, Liverpool-i pret Manchester City-n në “Anfield”, ndërsa Chelsea shkon në fushën e Sauthemptonit.
Gjithsesi, në mesjavë, gjigandët anglezë do të kenë sfidat europiane, Liverpool-i në fushën e Napolit në Champions, ndërsa Chelsea ndaj Vidit të Hungarisë në Ligën e Europës./abcnews.al