Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka nisur takimet e tij elektorale mëngjesin e kësaj të marte. Basha ka zhvilluar një bashkëbisedim me disa të rinj në zonën e Farkës në Tiranë.
Kreu i demokratëve i cilësoi të rinjtë si forcën dhe energjinë e ndryshimit, ndërsa theksoi se përgjegjësia më e madhe e tij janë ata. Basha theksoi edhe njëherë anulimin e ligjit për arsimin e lartë. Kryedemokrati zbuloi para tyre projektin për të punësuar 7000-9000 të rinj çdo vit.
“Kam ardhur në këtë takim pas një kërkese të gjatë nga ju dhe ju kërkoj ndjesë për vonesën. Kam ardhur për t’ju falenderuar. Kjo frymë e ndryshimit është rezultat i shpirtit tuaj, i fuqisë tuaj, i besimit tuaj që e keni injektuar në familjet dhe shoqëritë tuaja. Fitorja e 25 prillit i takon rinisë shqiptare të këtij vendi.
Përgjegjësia më e madhe e imja dhe ekipit tim është ndaj jush. Do ta përkthejmë në vepra konkrete që do t;’ju ndihmojmë në dilemat që keni. Kanë qetën tetë vite të tmerrshme për të rinjtë shqiptarë. Largimi masiv i shokëve tuaj nuk ka plagë më të madhe. Kjo plagë nuk ndalet me llafe dhe premtime boshe por duke marrë vendime të vendosura. Vendimi im i parë është anulimi i ligjit për arsimin e lartë që të mos ketë bij dhe bir shqiptari që të mbetet pa u arsimuar.
Në vazhdimësi kam qenë me universitete evropiane që të keni edhe teori dhe praktikë. Një stazh të paguar për të bërë të mundur kalimin nga auditori drejt tregut të punës.
Kësaj lëvizje të madhe rinore që i ka dhënë fuqi bashkimit për ndryshim do ti përgjigjen me qëndrime të vendosura,” tha Basha.
Basha iu përgjigj interesit të të rinjve për mënyrën se si do të mbështeten studentët. Ai përsëriti zotimin se çdo student që vjen nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj, shteti do t’i paguaj 100% tarifën bachelor dhe master dhe 50% të tarifës për studentët që vijnë nga familje me të ardhura mbi 640 mijë lekë të vjetra në muaj.
“Thjeshtë dhe qartë. Nëse vini nga familje të cilat nuk kanë më shumë se 640 mijë lekë të vjetra në muaj të ardhura, shteti do të paguaj 100% tarifën tuaj për bachelor dhe për master dhe nga kjo masë do të përfitojnë 90% e studentëve shqiptarë sepse për fat të keq aktualisht 90% e familjeve shqiptare që çojnë apo duan që të çojnë fëmijët e tyre për studime kanë ta ardhura nën 640 mijë lekë në muaj. Për të gjithë të tjerët që vijnë nga familje mbi 640 mijë lekë të vjetra në muaj do të subvencionohet 50% të tarifave për bachelor dhe master” – tha Basha.
Kreu i opozitës shpjegoi edhe mënyrë e trajnimit DUAL, e cila do t’u mundësojë studentëve stazhe të paguara nga shteti dhe krijimin e lidhjes me tregun e punës me paga dinjitoze. Ai gjithashtu tha se ndryshimin nuk ka marifet që e ndal më 25 prill, duke iu referuar lajmit të djeshëm për vjedhjen e informacioneve personale të qytetarëve.
“E di edhe ai dhe nuk ka marifet që e shpëton. E keni parë atë marifetin që publikuan dje që rrinë dhe mbledh numra të kartave të identitetit, e tjerë, e tjerë. Nuk ka marifet që e shpëton. 25 prilli është dita e bashkimit më të madh të shqiptarëve për ndryshim. Pas 25 prillit ndryshimi do të marrë formë konkrete. Ty si gjimnaziste do të ofrojë mundësinë të zgjedhësh degën e preferuar në një universitet i cili do të ndihmohet nga qeveria shqiptare dhe nga Bashkimi Europian, që atë degë ti të përvetësosh profesionin tënd, jo thjeshtë përmes mësimit teorik por edhe përmes praktikës. Dhe ndërkohë që kjo ndodh, ne do të kemi krijuar në këtë vend një sistem fiskal me taksa të ulëta, një liri tregu.
Do të kemi shporrur terrorin e taksidarëve të inspektorëve dhe të shtetit në tërësi dhe do të kemi bërë të mundur kësisoj që investitorët shqiptarë dhe investitorët e huaj të hapin vende pune dhe të kërkojnë profesionistë të zotë. Pikat kryesore të planit që kemi hartuar me atë universitetet Europiane që ju thash është që ne do ta shndërrojmë universitetin Shqiptarë, Institucionet e Arsimit të Lartë në Shqipëri, institucionet e trajnimit të profesionistëve të ardhshëm, jo vetëm dërrase e zezë dhe shkumës, jo vetëm leksione dhe seminare. Ne do të synojmë që brenda një kohe të shkurtër gjysma e kohës së studimeve të jetë de facto, faktikisht, praktikë. Nuk ka rëndësi nëse po studion juridik apo ekonomi, shëndetësi apo inxhinieri, gjysma e kohës do të jetë praktikë dhe në fund të studimeve për 10 mijë më të mirët do të ketë një stazh 12 mujor me një pagesë minimale 30 mijë lekë të vjetra në muaj që të mundësojë që ju të shkoni nga auditori te tregu i punës me një udhërrëfim, me një hartë rruge, siç është stazhi, siç është praktika. Dhe ne e dimë se kur ndodhë kjo 9 në 10 studentë të sapo diplomuar gjejnë vendin e punës. Kam folur për këtë gjerësisht këtë mëngjes me më të mirët në botë që janë Gjermanët. Janë ata që futën praktikën e trajnimit DUAL i thonë, gjysmë teori, gjysmë praktikë dhe kam garancinë dhe mbështetjen e një prej organizatave më të fuqishme që do të na mbështesin pas zgjedhjeve. E vetmja gjë që kërkuan është që gjërat në Shqipëri të ndryshojnë, e vetmja gjë që kërkuan është që të ketë një qeveri tek e cila të kenë besim, sepse 8 vite me radhë ata nuk kanë pasur besim tek kjo qeveri” – tha Basha.
g.v/abcnews.al