Nga Ema Shazivari
Punonjësit e sistemit shëndetësor, ndihen të papërfaqësuar për problemet e tyre në punë. Pavarësisht se ekziston një sindikatë, e krijuar nga një grup mjekësh, ata përfaqësohen nga konfederata me në krye Kol Nikollën.
Mjeku Gent Stroni, thotë për ABC se gjatë kohës së pandemisë, roli i saj ka qenë inekzistent, duke mos i ardhur në ndihmë punonjësve në spitale.
“Tashmë në situatën e pandemisë ku ne patëm sa e sa vdekje nga radhët tona mjekë dhe infermierë nuk u pa dora e kësaj sindikate,” thotë Stroni.
Sindikata e ndërtuar prej më shumë se 2 vitesh, ka qenë pranë problemeve reale të personelit shëndetësor. Mjeku Stroni përmend takimin e realizuar me ministren e shëndetësisë gjatë muajit tetor për kërkesat me 4 pika të cilat nuk morën zgjidhje reale si pasojë e ngërçit ligjor, që e pengonte këtë sindikatë.
“Në tetor të vitit të kaluar pretendohej që ose ne hodhëm katër kërkesa, ne luftuam t’i realizonin, por ngelëm vetëm në diskutime sepse ligji na ndalonte që të kryenim kontrata kolektive,” sqaron mjeku.
Gjatë muajit shkurt të këtij viti, kjo sindikatë për zgjidhjen e ngërçit ligjor, depoziton dokumentacionin për njohjen nga Ministria si e vetmja sindikatë legjitime përfaqësuese e denjë e punonjësve shëndetësor, por kualifikohet e dyta pasi në vendin e parë gjendet Konfederata pavarësisht që përfaqësia e saj nuk është me eksperiencë mjekësore.
Stroni ka një thirrje për kreun e konfederatës si dhe për administratën e ministrisë. /abcnews.al