Bardhi në Cerrik: Qeveria Basha subvencion për çdo fermer mbi bazën e prodhimit

schedule11:26 - 9 Prill, 2021

schedule 11:26 - 9 Prill, 2021

Drejtuesi Politik i PD për Elbasanin, Gazment Bardhi, pati një bashkëbisedim me fermerët e zonës së Lumasit në Cerrik, ku ndau me ta prioritetet e qeverisjes për mandatin e parë, që ka të bëjë me nxjerrjen e fshatit nga varfëria dhe krijimin e kushteve për punë e mirëqënie.

Bardhi theksoi se subvencioni do të jetë sipas prodhimit, pa burokraci, pa kritere përjashtuese, dhe i vetmi dokument që do të duhet, është karta e identitetit, ku është numri personal.
Fermerët u ankuan se kanë shpenzuar kursimet e tyre dhe paratë e emigracionit, ndërkohë që po falimentojnë pasi nuk shesin dot mallin.

“Të paktën fermeri të marrë subvencion për koston e prodhimit, siç marrin kudo. Në mënyrë që fermeri të mos falimentojë. Ja ku e kemi produktin këtu, nuk shitet, jo mall turk këtu, jo nga spanja matanë. Atje ka shtet, këtu nuk marrim në dorë asgjë”, u shpreh një prej të pranishmëve në takim.

Gazment Bardhi tha se përveç braktisjes, kryeministri tani edhe i fyen dhe i tall fermerët shqiptarë.

“Pasi u tha fermerëve thashethemexhinj e dembelë, tani thotë se produktet e fshatit tonë ngelen pa shitur se janë të paditur. E gjitha kjo tregon sjelljen e tyre në 8 vite. Mirë që nuk ju mbështesin, mirë që nuk janë krah jush, po janë edhe arrogantë dhe të pafytyrë. Ju e keni dëgjuar që thotë kam shpërndarë vjet 95 milioën euro për fermerët. Po unë nuk kam gjetur deri më sot, një rast të vetëm, dhe këtë nuk e them për politikë, që të ketë ngritur dorën dikush e të ketë thënë unë kam marrë 2 lekë”, u shpreh Bardhi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!