500 mijë për Ernes Muçin, pagesë me dy këste dhe rreth 150 mijë euro Tirana mund t’i përfitojë përmes bonuseve për transferimin e sulmuesit te Legia e Varshavës në Poloni. Lojtari tjetër që bardheblutë presin të shesin është mbrojtësi Marsel Ismajlgeci.
Ai ka shënuar në dy ndeshjet e fundit me fanellën e bardhebluve dhe në numrin e sotëm të “Panorama Sport” flitej edhe për një ofertë nga Belgjika. Cercle Bruge është klubi që interesohet për mbrojtësin e majtë.
Referuar burimit të përmendur më lart, oferta për Ismajlgecin shkon në rreth 350 mijë euro. Një shifër e konsiderueshme dhe që Tirana realisht duhet ta mendojë mirë, nëse realisht ka një propozim zyrtar nga klubi belg.
Gjithsesi presidenti Refik Halili ka pretendime më të mëdha. Ai pret një ofertë më të lartë, rreth 500 mijë euro, për ta shitur Ismajlgecin. Për mbrojtësin edhe Lokomotiva Zagreb është interesuar më parë, por kurrsesi nuk mund të ofrojë shifra të tilla. /abcnews.al