Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet në lidhje me situatën e krijuar në Aeroportin e Rinasit ditën e sotme ku janë pezulluar të gjitha fluturimet për shkak të grevës së kontrollorëve. Gazetari Ermal Vija raporton për ABC se vepra penale për të cilën po hetohen kontrollorët është ajo e shpërdorimit të detyrës.
Nga ana e oficereve te policisë gjyqësore, po kryhen veprimet e duhura hetimore për zbardhjen e rrethanave te ngjarjes së ndodhur. Ndërkohë që vijojnë veprimet hetimore ne drejtim të evidentimit te rolit të secilit prej personave të përfshirë në këtë ngjarje.
Nga ana tjetër, kontrollori i parë nga 80 punonjës që janë gjithsej në kullën e Rinasit, Muhni Mezini është shoqëruar në polici. Mezini është thirrur në polici pasi ka përfunduar turnin dhe është një nga 5 kontrollorët që ka shprehur paaftësinë për të kryer detyrën për shkak të stresit.
Aeroporti i vetëm në Shqipëri prej mëngjesit të sotëm është në kaos total, pasi nuk mund të realizohet asnjë fluturim, si në hyrje dhe dalje, përpos atyre që kalojnë në hapësirën ajrore të vendit tonë. Shkak është bërë greva e kontrollorëve që akuzojnë se u është ulur paga për shkak të pandemisë prej vitit të kaluar./mv.abcnews.al