Artan Hoxha: Krimi në Elbasan mund të vendosë për fatin e zgjedhjeve, si zvarriten dëshmitarët

schedule21:07 - 6 Prill, 2021

schedule 21:07 - 6 Prill, 2021

Bashkëpunëtorët e drejtësisë në Elbasan, gazetari Artan Hoxha i quan një “armë të fortë” që nuk po përdoret siç duhet nga organet e drejtësisë për të zbardhur kalvarin e vrasjeve që kanë tronditur qytetin ndër vite. Duke folur në emisionin “Vetting” në ABC, Hoxha u shpreh se shpesh herë dëshmitë e tyre janë zvarritur duke i lënë kohë grupeve kriminale të presionojnë familjarët e bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

Ai u ndal edhe tek Ervis Bardhi, dëshmitari kyç për zbardhjen e vrasjes së Gentian dhe Nezir Beqirit, duke e cilësuar atë një dëshmitar akoma më të rëndësishëm pasi informacionet që ai ka nuk i ka marrë nga persona të tjerë, por ka qenë qitës dhe ekzekutor direkt.

“Prokuroria dhe policia kanë krijuar disa të çara janë sistemin e tyre duke future bashkëpunëtorë të drejtësisë. Zhvillimet gjatë vitit të kaluar kanë qenë të mbështetur mbi këtë gjë. Ka bashkëpunëtorë të drejtësisë. Por dëshmitë e tyre janë zvarritur. Nuk është vepruar shpejt. I është dhënë kohë familjarëve të grupeve kriminale të trembin familjarët e bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

Ervis Bardhi është ekzekutor dhe qitës direkt. Të dhënat dhe informacionet që ai ka dhënë, kryqëzimi i provave dhe dëshminë përputhen me njëra tjetrën. Kemi të bëjmë me organizata shumë të fuqishme që paguajnë për t’u mbrojtur. Në Elbasan kanë shkuar deri në ekzekutimin e avokatëve mbrojtës. E ndjej frikën e prokurorëve atje por them se zgjidhja tashmë mund të jetë SPAK”, u shpreh Artan Hoxha.

Hoxha thekson se goditja ndaj bandave duhet të vazhdojë pavarësisht se kush është në pushtet dhe se kë parti mbështesin ata ndërsa ngriti dyshime të forta se bandat mund të vendosin për fatin e zgjedhjeve në Elbasan.

“Elbasani nuk ka rrugë tjetër. Ka problematikën tjetër që edhe kur ka bashkëpunëtorë të drejtësisë agjencitë nuk veprojnë. Prokuroria lokale e ka akoma të vështirë. Gjatë vitit të fundit ka pasur sinjale pozitive. Dëshmitarët e tjerë që po bashkëpunojnë me drejtësinë janë një pikë e mirë për zbardhjen e vrasjeve në qytet.

Goditja ndaj grupeve kriminale duhet të jetë pavarësisht se kush është pushtet. Për fat të keq deri tani më rezulton që në Elbasan, bota e krimit jo vetëm që është përfshirë në fushatën elektorale por edhe mund të vendosë për fatin e zgjedhjeve në Elbasan. Ai është kthyer në një koshere mjalti ku janë sulur të gjitha grerëzat për ta bërë të sajën”, deklaroi Artan Hoxha./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!