“Ishte një ndeshje e vështirë, e dinim një gjë të tillë dhe nuk ia dolëm të luajmë ashtu siç ishim përgatitur. Në pjesën e parë luajtëm shumë pak, vetëm pas gjysmë ore e morëm disi veten. Më mirë në pjesën e dytë, krijuam edhe disa raste, por Sevilla e meritoi fitoren“.
Kështu e nis analizën e tij Diego Simeone, trajneri i Atletico Madrid. “Colchoneros” kryesojnë prej kohësh kampionati spanjoll, por mbrëmë u mposhtën 1-0 në Andaluzi përballë Sevilla, dhe distanca me vendin e dytë shkon në një pikë nëse Barcelona bën detyrën ndaj Valladolid sonte në mbrëmje.
Trajneri argjentinas vijon edhe më tej, duke marrë përgjegjësitë e tij. “Nëse vendosa të bëj ndërrim pas 30 minutave, do të thotë se zgjedhjet që kisha bërë ishin negative. Duhet të vazhdojmë të përmirësohemi“. Sfida e radhës luhet sërish jashtë fushe, sërish në Andaluzi, por këtë herë ndaj Real Betis. /abcnews.al