Bardhok Pllanaj u ekzekutua mbrëmjen e sotme në pritë rreth orës 21:10 në fshatin Dobraç i Ri, Njësia Administrative Rrethina. Ai po udhëtonte me makinë kur iu bë pritë dhe u ekzekutua me armë zjarri. 46-vjeçari banonte në Shkoj të Ri.
ABC sjell pamjet nga vendi i ngjarjes, që është rrethuar nga makina të shumta policie, ndërsa dëgjohen britmat e familjarëve, që ende nuk dihet nëse ishin me 46-vjeçarin në makinë në momentin që u vra.
Policia njofton se ka rrethuar zonën dhe kanë ngritur pika kontrolli, por deri tani është gjetur vetëm një makinë e djegur. Në ndihmë të Policisë lokale kanë shkuar dhe grupe të FNSH Shkodër. Veprimet po kryhen me grup hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Por kush është Bardhok Pllanaj?
I cilësuar si “Kumbari” i Shkodrës. 46-vjeçari është në emër shumë i njohur për drejtësinë shqiptare, por edhe atë belge. Një vit më parë Operacioni Forca e Ligjit i dërgoi formularin për justifikimin e pasurisë pasi ka qenë i arrestuar dhe dënuar për disa vepra penale, mes të tjerash në Belgjikë për trafik të qenieve njerëzore.
Pllanaj ka qenë në gjykim në dhjetor 2018 për “pastrim parash”, ‘falsifikim dokumentesh’ dhe ‘ndërtim pa leje’ për një pallat të vlerësuar 2 milionë euro. Ai ka rënë në pranga në vitin 2018, pasi dyshohej se kishte ndërtuar pallatin 10-katësh në Shkodër me para nga burime kriminale dhe pa leje ndërtimi, i cili u sekuestrua.
Por jo vetëm kaq. Bardhok Pllanaj ishte kryefjalë e politikës shqiptare në vitin 2014, pasi u akuzua për trafik droge, por i shpëtoi arrestimit. Asokohe u raportua se “Kumbari i Shkodrës” u fsheh në makinën e ish-deputetit Mark Frroku për t’iu shmangur arrestimit. Policia e kërkonte Pllanajn për trafik droge nga Velipoja me skaf drejt Italisë./ db/ Abcnews.al