Në Shtetet e Bashkuara ka filluar puna për ndërtimin e murit që do të ndalojë emigracionin e paligjshëm në vijën kufitare me Meksikën. Ndërsa mediat njoftojnë se administrata e Donald Trump do të shtrëngojë procedurat për dhënien e lejeve të qëndrimit të përhershme të njohura si “Green Card”.
Ndërtimi i murit të ri në kufi me Meksikën fillon në Shtetet e Bashkuara, një mur i kërkuar nga Presidenti Donald Trump për të kundërshtuar emigracionin e paautorizuar që ai e konsideron një kërcënim për sigurinë. Për gjashtë nga 3,200 kilometra të kufirit, seksioni i ri do të zëvendësojë gardhin ekzistues përgjatë vijës ndërmjet El Pasos, Teksasit dhe Ciudad Juarezit në Meksikë.
Pjesa më e madhe e kufirit tashmë është e kufizuar nga gardhe dhe pengesa të tjera, por Trump ka urdhëruar një pengesë fizike “të pandërprerë dhe jo kaluese”, të cilën shkencëtarët thonë se do të rrezikojnë gjithashtu ekzistencën e mbi një mijë specieve shtazore.
Kongresi deri më tani ka miratuar 1.6 miliardë dollarë alokimin nga 25 miliardë dollarë që Trump ka kërkuar për ndërtimin e murit, i cili është një ndër premtimet kryesore të fushatës. Fillimisht ai kërkoi që Meksika të paguante shpenzimet, gjë që shtoi tensionin në marrëdhëniet mes dy vendeve. Presidenti i zgjedhur i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, tha se nuk kishte ndërmend të kundërshtonte Presidentin e SHBA Donald Trump mbi çështjen e emigracionit.
“Ne nuk do të luftojmë me qeverinë amerikane, nuk do të luftojmë me presidentin Donald Trump,” tha ai.
“Problemi i emigracionit nuk mund të zgjidhet duke ndërtuar mure ose duke përdorur forcën, por është një punë diplomatike dhe e respektit“, shtoi Lopez Obrador.
Administrata Trump njoftoi gjithashtu një shtrëngim në lëshimin e “Green Card” për emigrantët të cilët ligjërisht përfitojnë nga ndihmat publike, si ndihma për ushqim ose kupona për strehim.
Kjo bëhet e ditur nga New York Times, që shpjegon se goditja mund të prekë miliona njerëz që jetojnë në varfëri dhe se ata do të gjejnë veten të detyruar të zgjedhin ndërmjet ushqimit dhe ndihmës për banim dhe marrjes së “Green Card”.