Nga Xhensila Kodra
Pesë të arrestuarit për arsenalin e armëve të sekuestruara një ditë më parë në Tiranë, të ndara në 18 baza, nuk kanë pranuar të japin deklaratë para policisë.
Për oficerët e krimeve të rënda, dëshmia e tyre mund të ndihmonte hetuesit për veprime të tjera, për të identifikuar se në cilat ngjarje të rënda mund të jenë përdorur këto municione.
Tashmë, arsenali i armëve është dërguar pranë laboratorit të kriminalistikës për të zbuluar nëse në ato ka ose jo shenja gishtash të fiksuara që mund të çojë në arrestimin e personave të tjerë.
Në prangat e policisë përfunduan Paris Prenga, Bledar Deda, Flor Abazi, Bujar Jaupi dhe Arben Sufa. Ndërsa u shpallen në kërkim Akil Kulla dhe Sokol Xhura, ky i fundit aksioner në kompleksin “Xhura”.
Sipas policisë, ata, në bashkëpunim edhe dy kushërinjtë Enver dhe Ermond Jamaku, të arrestuar më herët, janë autorë të tre ngjarjeve të ndodhura disa vite më parë.
Gjithçka u zbulua nga dëshmia e Enver Jamakut, i arrestuar si personi që u pagua për të vendosur tritolin në makinën e Gjon Menës, në Kamëz./ Abcnews.al