Policia kufitare është duke kapur çdo ditë edhe më tepër qytetarë, të cilët nga padija se si funksionon sistemi i kryerjes së tamponëve nëpër laboratorët e vendit mendojnë se mund të dalin nga Shqipëria duke falsifikuar rezultatin e testeve.
Siç mëson abcnews.al, thuajse çdo ditë kthehen një numër i madh qytetarësh, sidomos nga Kapshtica dhe Kakavija duke tentuar të futën në Greqi pasi kanë tentuar të falsifikojnë rezultatin e tamponit.
Abcnews.al u interesua në laboratorin ALNET për mënyrën se si administrohen të dhënat e tamponit për çdo qytetar duke mësuar se secila përgjigje është unike për çdokënd që ka kryer testin dhe është plotësisht i aksesueshëm nga policia kufitare.
Kjo e bën të pamundur kalimin e kufirit me përgjigje tamponi të falsifikuar dhe në momentin që një qytetar paraqitet në kufi me një të tillë, atëherë kapet menjëherë nga polici kufitar pasi ky i fundit ka akses të plotë në databazë për të verifikuar nëse qyetarë që ka përballë e ka kryer apo jo testin në të vërtetë dhe cili është rezultati i tij.
Për të parandaluar çdo lloj manipulimi të testeve, ALNET shpjegon se i kryen tamponët vetëm tek laboratorët e tijtë certifikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe ISSHP dhe se nuk ka bashkëpunim me asnjë laborator tjetër lokal.
Si funksionon verifikimi dhe parandalimi i falsifikimeve?
Në momentin që qytetari paraqitet në kufi për të dalë nga Shqipëria duhet të ketë me vete edhe përgjigjen negative të tamponit për koronavirusin. Krahas verifikimit të dokumentacionit, polici kufitar bën edhe verifikimin e testit të tamponit duke u futur përmes një kodi unik në krye të fletës, në databazën e laboratorit që ka kryer testin.
Aty sheh edhe nëse ekziston një test i bërë me emrin e qytetarët në fjalë apo jo dhe nëse po, sheh edhe përgjigjen e tij.
Në rastet kur testi konfirmohet nga databaza e laboratorit, polici kufitar e lejon qytetarin që të kalojë, nëse jo, pra testi është i falsifikuar, ai kthehet mbrapsht.
Ky është edhe shkaku se përse askush nuk mund të kalojë kufirin me teste të falsifikuara. E vetmja mundësi është bërja e testit në mënyrë të rregullt dhe marrja e përgjigjes nga laboratorët e certifikuar nga Ministria e Shëndetësisë për këtë shërbim. /abcnews.al