Botërori i Katarit, që do zhvillohet në vitin e ardhshëm vazhdon të jetë një çështje shumë aktive në Europë, për faktin se kanë vdekur rreth 6500 punëtore gjatë ndërtimeve të stadiumeve atje dhe kushtet e punës janë të vështira.
Së fundmi për këtë ka folur Toni Kroos, mesfushor i kombëtares gjermane dhe Real Madrid, i cili ka kritikuar ashpër faktin se Botërori do zhvillohet atje, por nuk është me idenë e bojkotit të këtij turneu.
“Punëtorët e stadiumeve pritëse në Katar duhet të punojnë pa ndërprerje në 50˚C. Vuajnë nga mungesa e ushqimit dhe ujit të pijshëm, që është çmenduri në të tilla temperatura. Siguria nuk është aspak e garantuar, nuk ka kujdes mjekësor.
Mendoj se miratimi i organizimit të Botërorit për Katarin nuk është gjë e mirë. Njëra janë kushtet e punës, tjetra se homoseksualiteti kriminalizohet dhe persekutohet atje. Këto janë pika absolutisht të papranueshme.
Bojkot? Nuk do kishte kuptim. Nuk do rregulloheshin kushtet atje nëse ne nuk shkojmë në Botëror. Futbolli mund të tërheqë vëmendje të madhe për të ndihmuar në eliminimin e këtij fenomeni”, u shpreh Kroos. /abcnews.al