Nuk dihet nëse do të burgoset me të vërtetë apo jo, por ligjërisht Karim Benzema rrezikon deri në 5 vite burg si dhe 75 000 euro gjobë nëse shpallet fajtor në gjyqin, që nis në tetor të këtij viti.
Sulmuesi i Realit dhe ish-sulmuesi i Francës është akuzuar nga ish-shoku i tij i ekipit, Mathiew Valbuena se pagoi disa persona që t’i bënin shantazh ish-mesfushorit me anë të një filmimi seksual, me synim për t’i zhvatur shuma parash.
Ngjarja doli në dritë në 2015 kur foli Valbuena, ndërsa u deshën gjashtë vjet për të përgatitur dosjen. Benzema do të paraqitet në gjyq në Versajë, pranë Parisit në datat 20-22 tetor, ndërsa nuk është e qartë se përse procedurat për gjyqin zgjatën kaq shumë.
Me gjasë mund të ketë ndikuar fakti që ai është një nga yjet më të mëdhenj të futbollit në Europë dhe luan për një nga klubet më të famshëm në botë, Real Madrid.
Gjithsesi, Benzema nuk thirret në kombëtaren e Francës që nga viti 2015 prej këtij skandali, ndërsa për ekipin përfaqësues ka luajtur 81 ndeshje duke shënuar 27 gola. Gjyqi për shantazhin e hamendësuar ndaj Valbuena, nuk është i pari për 33-vjeçarin.
Në vitin 2010, ai doli përpara drejtësisë bashkë me yllin e asaj kohe të Bayern Munchen, Franck Ribery, të akuzuar për marrëdhënie intime me një të mitur, që quhej Zahia Dehar. Katër vjet më vonë, gjyqi i nxori dy futbollistët të pafajshëm. /abcnews.al