Sot nuk luan vetëm Shqipëria, pasi në fushë zbresin edhe ekipet e Kategorisë së Parë dhe të Dytë. Në program janë tre duele të së Parës, që nisin prej orës 13:30. Burreli ka mundësinë që duke mundur Orikun të rikthehet i pari në grupin A.
Matjanët luajnë në shtëpi dhe janë të dënuar për të marrë tre pikët dhe të presin rezultatin e Korabi-Dinamo, që zhvillohet nesër. Besëlidhja gjithashtu është e dënuar të fitojë kundër Veleçikut, ndërkohë që parashikohet interesante edhe sfida mes Partizanit B dhe Vorës.
Në Kategorinë e Dytë zhvillohen sot 6 duele të grupit B, me Maliqin kryesues që pret Tepelenën, Labërinë që përballet me Memaliajn dhe Butrintin që e ka detyrim të mposhtë Këlcyrën në shtëpi.
Në plan janë edhe ndeshje të tjera, si Naftëtari-Përmeti, Skrapari-Delvina dhe Gramozi-Devolli. Të gjitha këto ndeshje do të nisin prej orës 13:30. /abcnews.al