Zgjedhja e Joan Laportës si presidenti i ri i klubit, ka krijuar entuziazëm te Barcelona. Ekipi po luan mirë dhe është rifutur në garën për titullin kampion, Leo Messi po shkëlqen në fushë, ndërsa tifozët janë plot besim se idhulli i tyre nuk do të largohet tani që Laporta u rikthye në krye të klubit katalanas.
Të njëjtën gjë beson dhe shpreson edhe Rivaldo. Në një prononcim për Betfair, ish-fituesi i “Topit të Artë” me skuadrën katalanase flet rreth momentit të mirë të Barcelonës dhe rinovimit të kapitenit argjentinas.
“Barcelona po përmirësohet kohët e fundit, duke shfrytëzuar formën e shkëlqyer të Messit dhe entuziazmin e krijuar nga zgjedhja e presidentit të ri të klubit.
Messi duket shumë më i lidhur me skuadrën, dallohet që është i lumtur që Laporta fitoi zgjedhjet për president, të cilin e njeh shumë mirë.
Ky është shkaku pse po besoj gjithnjë e më shumë që Leo mund të arrijë një akord dhe të nënshkruajë kontratën e rë që do e mbante edhe për disa vite te Barcelona“, deklaroi Rivaldo. /abcnews.al