“Çmenduri çfarë më ndodhi mua”, momenti i “skocezit” Florian Kamberi ka ardhur

schedule10:58 - 25 Mars, 2021

schedule 10:58 - 25 Mars, 2021

Florian Kamberi ka pritur gjatë për momentin e tij. Sulmuesi është ftuar nga trajneri Edy Reja për ndeshjet me Andorrën, Anglinë dhe San Marinon dhe shpreson që tani të debutojë me ngjyrat kuqezi. Për dy vite nuk e ka pasur mundësinë ta bëjë diçka të tillë, për shkak të dëmtimeve dhe pandemisë së COVID-19. Tani nuk e pengon asgjë, mjafton që Reja t’i kërkojë të zbresë në fushë.

“U thirra për herë të parë nga Shqipëria në nëntor të vitit 2019. Isha i dëmtuar dhe nuk mund të luaja. Gjithashtu as dokumentacioni nuk ishte gati. Vitin e shkuar më pas ishte çështje fluturimesh dhe COVID-i. Në një tjetër grumbullim nuk mund të shkoja se isha vetë i infektuar me koronavirus kur isha në Zvicër”, tregon Kamberi për “Daily Record”.

 

“Ishte një çmenduri, pasi ndodhën shumë gjëra në dy vite. Për më tepër ato që ndodhën nuk ishin në varësinë time. Isha i mërzitur, pasi unë dua që të luaj për Shqipërinë. Jam kënaqur që tani jam në formë, jam i grumbulluar dhe dua që të luaj.

Jam i përqendruar te tre ndeshje kualifikuese. Është diçka e mirë që mund të përballemi me emra të mëdhenj si Anglia, por së pari shpresoj që të debutoj kundër Andorrës. Pastaj ndaj Anglisë do ishte speciale”, shton Kamberi, i cili më pas flet edhe për tema të tjera.

 

 

TAKIMI ME NDIHMËSIN E REJËS – Sergio Porrini ka një të shkuar në Skoci, pasi ka qenë pjesë e Rangers si futbollist. Ndihmësi i italianit Edy Reja te Shqipëria ka qenë ai që e ka takuar sulmuesin shqiptar dhe i ka shprehur interesimin e kuqezinjve për ta pasur në ekip.

“Jam gjithmonë në kontakt me trajnerin dhe Sergion. E kam takuar Sergion dhe gruan e tij në Skoci. Erdhën të më takonin kur isha pjesë e Hibernians. Më pa në një ndeshje ku u mundëm 5-2 nga Celtic në gjysmëfinalen e Kupës. E takova pas ndeshjes dhe një ditë më pas drekuam së bashku. Ai dhe Shqipëria kanë treguar shumë besim tek unë dhe dua t’ua shpërblej në fushë”, shtoi sulmuesi i Aberdeen.

 

RIKTHIMI NË SKOCI – “Kalimi te Aberdeen ka qenë i shkëlqyer. Po e shijoj me të vërtetë. Ky klub, skuadra dhe tifozët janë të shkëlqyeshëm. E vetmja gjë zhgënjyese janë rezultatet, por jam i sigurt që edhe kjo do të ndryshojë në vazhdimësi.

Kemi një skuadër të mirë. E di që do i përmirësojmë rezultatet. Tani duhet të përqendrohem te Shqipëria dhe ndeshjet e ardhshme. Pas kësaj shpresoj të kthehem tek Aberdeen dhe të shënoj disa gola për të ndihmuar ekipin që të nisë të fitojë”, është shprehur Kamberi. /abcnews.al