“Lejoni të vaksinuarit në stadium ndaj Anglisë”, Duka kërkesë kryeministrit Rama

schedule16:55 - 23 Mars, 2021

schedule 16:55 - 23 Mars, 2021

Kombëtarja jonë më datë 28 mars luan një ndeshje historike në “Air Albania”, përballë një prej kombëtareve më të mëdha të globit, Anglisë. Prej javësh FSHF po mundohet të bindë qeverinë për të futur tifozë në stadium, por deri më tani ka qenë e pamundur, duke marrë përgjigje negative nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkohë që Rama bisedon me skuadrën e 25 prillit për Tiranën pikërisht përpara stadiumit “Air Albania”, në skenë hyn vetë presidenti i FSHF, Armand Duka, që i dërgon një kërkesë publike kreut të qeverisë, Edi Ramës. Duka kërkon që të ketë një numër të limituar në stadium, ose të paktën atë ditë në “Air Albania” të jenë disa nga personat që janë vaksinuar deri më tani.

KËRKESA – I nderuar zoti Kryeministër! Uroj të kem vëmendjen tuaj të plotë, në prag të një përballjeje historike dhe të shumëpritur me Anglinë, që rikthehet në Shqipëri pas plot dy dekadash. Një përballje që prej javësh na ka vendosur në qendër të vëmendjes së mediave më të mëdha botërore, ku imazhi i futbollit tonë pasqyrohet me nota shumë pozitive dhe shikohet në rritje të vazhdueshme.

Po ju drejtohem ju, sepse ne i kemi konsumuar të gjithë shkallët e procesit burokratik duke i shkruar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Komitetit Teknik të Ekspertëve, nga të cilët kemi marrë përgjigje refuzuese për praninë e një numri të reduktuar të tifozëve në stadium, siҫ e lejon dhe qeveria europiane e futbollit, UEFA.

I nderuar z. Kryeministër! Duke parë që në vendin tonë shumë biznese me grumbullime masive njerëzish vazhdojnë aktivitetin normalisht, do të shpresoja shumë që ju të ndihmonit ekipin Kombëtar shqiptar dhe tifozët tanë të zjarrtë për të qenë të pranishëm në këtë ndeshje shumë të rëndësishme për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Botërorit Katar 2022. Ne kemi një stadium modern, me standartet më të larta botërore, që na lejon të kemi minimalisht 30% të tifozëve në stadium, duke mundësuar shmangien e ҫdo rreziku nga virusi Covid-19.

Nëse kjo prani e limituar tifozësh shikohet ende si një problem nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Komiteti Teknik i Ekspertëve, atëherë do ju propozoja që të lejohen në stadium të gjithë personat që janë vaksinuar dhe kanë përfituar nga procesi i vaksinimit masiv që ju si Qeveri po zhvilloni në mbarë trojet shqiptare.

Duke marrë parasysh faktin se Komiteti Teknik i Ekspertëve, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, vendosi që grumbullimi i më shumë se 10 personave pas 25 marsit është i lejuar, jam besimplotë që ju do ta merrni në konsideratë këtë kërkesë në të mirë të futbollit shqiptar dhe dashurisë që kanë tifozët tanë për fanellën kuqezi. Sinqerisht, Armand Duka. /abcnews.al