Zlatan Ibrahimovic është rikthyer pas pesë viteve te kombëtarja e Suedisë. Sulmuesi i Milanit ka folur për mediat përpara dy takimeve të eliminatoreve të Botërorit Katar 2020: atë kundër Gjeorgjisë në Solna (25 mars) dhe përballjen ndaj Kosovës në Prishtinë (28 mars).
39-vjeçari, i cili numëron 62 gola në 116 ndeshje të luajtura me Suedinë, shprehet optimist në lidhje me rinovimin e kontratës me Milanin, ndalet te rikthimi në kombëtare duke theksuar se është më i miri në botë dhe nuk i kursen lotët kur pyetet për djalin e tij, Vincent.
“U takuam në një dhomë: unë, trajneri dhe askush tjetër. U ballafaquam me njëri-tjetrin dhe morëm vendimin më të mirë për Suedinë. Nëse më pyesni, atëherë po deklaroj që ndihem më i miri në botë, por nuk vlen fare ajo çfarë kam bërë më parë.
Nuk ndodhem këtu sepse quhem Zlatan Ibrahimovic, por prej faktit që e kam merituar grumbullimin. Ndihem në formë të mirë dhe dua të jap kontributin tim në kombëtare. I kam premtuar trajnerit se do të jem vendimtar, tani duhet të flas në fushë.
Dua të vë eksperiencën time në shërbim të skuadrës. Shiriti i kapitenit? E vendos trajneri, por unë konsideroj Granqvist si kapiten. I kërkova Isak të merrte fanellën me numër 11. Ai më tha: dakord, me paktin që do të ma japësh vetë pas 6-7 vitesh…
Forsberg më ofroi numrin 10, por unë e refuzova. Milani? Jam optimist në lidhje me rinovimin. Dua të vazhdoj të luaj me kuqezinjtë dhe të përmirësohem. Projekti i klubit është emocionues. Kemi krijuar një atmosferë të bukur në skuadër, ky është shkaku pse po bëjmë mirë“, deklaroi Ibra.
La famiglia prima di tutto. La commozione parlando delle lacrime del figlio.
This is @Ibra_official?
— Pietro Balzano Prota (@PBPcalcio) March 22, 2021
Në fund nuk munguan lotët. Këtë periudhë pandemia i është dashur të jetojë larg familjes dhe malli për fëmijët është i madh. Vincent, njëri nga djemtë e tij, i ka kërkuar të mos largohet më nga Suedia.
Zlatan flet për të, duke shfaqur edhe anën humane dhe zemrën e madhe. “Vincent filloi të qante kur u largova drejt Milanos, por tani gjithçka është ok“, deklaroi legjenda e gjallë e futbollit botëror. /abcnews.al