Banorët e qytetit të Xhenovës kanë përkujtuar të premten viktimat e tragjedisë së urës Morandi, e cila u shemb muajin e kaluar duke marrë mbi 40 jetë njerëzish. Ndërsa zyrtarët lokalë kanë deklaruar se janë gati t’i përvishen punës për rindërtimin e urës, presidenti Matarela ka bërë thirrje të kalohet nga fjalët tek veprat.
Një muaj nga shembja e urës Morandi, qyteti i Xhenovës ka mbajtur një minutë heshtje në nder të 43 personave që humbën jetën. Të mbledhur në sheshin De Ferrari, të pranishmit janë përlotur kur drejtuesit e ceremonisë përkujtimore kanë lexuar emrat e viktimave. Kryetari i bashkisë Marko Buçi dhe guvernatori Xhovani Toti janë pritur me duartrokitje nga publiku. “Jam gati t’i përvishem punës, nuk mund të them jo kur bëhet fjalë për Xhenovën”, ka deklaruar kryebashkiaku. Ai e ka krahasuar tragjedinë e urës Morandi me atë të 11 shtatorit në Nju Jork, që u përkujtua pak ditë më parë. “Për ne kjo ishte një tragjedi e tmerrshme. Njësoj si “GRAUND ZERO” në Nju Jork, qytet që arriti të dilte nga tragjedia, edhe ne duam të bëjmë të njëjtën gjë”, ka vijuar Buçi.
Ndërsa guvernatori Toti është shprehur se shembja e një ure nuk do ta gjunjëzojë dot Xhenovën. “Nuk besoj se sot janë të rëndësishëm emrat. E rëndësishme është të nisim nga puna dhe t’i bëjmë gjërat mirë”, ka thënë Toti. Ndërkohë, ceremonisë i është bashkuar edhe kryeministri Xhuzepe Konte. Përballë mikrofonëve Konte ka deklaruar se qeveria nuk ka ndënjur duarkryq që prej muajit të kaluar, por ka hartuar një plan serioz të përbërë nga fakte dhe masa. Më i prerë në mesazhin e tij ka qenë presidenti Serxho Matarela. “Xhenova nuk pret urime apo ngushëllime, por konkretizim të vendimeve dhe premtimeve”, është shprehur Matarela në një shkrim të publikuar në një të përditshme./abcnews.al