Lista Serbe ka frenuar qeverinë e Kosovës sa i përket projektligjit që miratoi për shndërrimin e Forcave të Armatosura në Ushtri. Për këtë, nënkryetari Simiç theksoi se nuk do të ndodhë pa pëlqimin e deputetëve serbë. Vendimi I qeverisë së Prishtinës është kritikuar edhe nga SHBA.
Reagime të shumta vijnë pasi qeveria e Kosovës miratoi tri projektligje për shndërrimin e Forcave të Sigusrisë së Kosovës në Forcë të Armatosur. Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç ka thënë se qëllimi i Projektligjit për themelimin e Ushtrisë së Kosovës është për të nxitur tensione pas vizitës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiç në veri të Kosovës. Ai gjithashtu e konsideron nismën e qeverisë së Prishtinës si tentativë për të devijuar vëmendjen e publikut nga dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës.
“Pa pëlqimin e deputetëve të Listës Serbe (në Kuvendin e Kosovës) dhe ndryshimin e Kushtetutës, është i pamundur transformimi i forcave të sigurisë të Kosovës”, tha simiç për TV Pink. Ai shtoi më tej se Prishtina po bën çdo gjë që të nervozojë Beogradin me deklarata të ndryshme dhe si pasojë ta shtyjë atë drejt bllokimit të dialogut në Bruksel. Zyrtari I Listës Serbe akuzon qeverinë e Kosovës se nuk ka implementuar marrëveshjet e arritura me ndërmjetësimin e BE-së.
Gjithashtu edhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Beograd, Milovan Drecun, është përfshirë në valën e reagimeve dhe thotë se lëvizja e Qeverisë së Kosovës për formimin e ushtrisë, tregon mosgatishmërinë e Kosovës për të arritur marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Ai ka thënë se kjo nismë është e dëmshme dhe destabilizuese për dialogun, për të cilin synohet një zgjidhje përfundimtare. Ndërkohë lidhur me vendimin e Qeverisë Haradinaj ka reaguar edhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë, ku deklarojnë se Haradinaj nuk është konsultuar me ta sa i përket formimit të ushtrisë. Lidhur me këtë çështja ka ndërhyrë edhe NATO. Aleanca e Atlantikut të Veriut thekson edhe njëherë qëndrimin e saj duke kërkuar që formimi i ushtrisë të bëhet vetëm me ndryshimet kushtetuese të nevojshme. /abcnews.al