Punimet e nxënësve për konkursin e pikturës “Mësuesi i Sakrificës” kanë përcjellë mjaft emocion jo vetëm tek mësuesit, por edhe tek publiku.
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi organizoi një takim me nxënësit për konkursin e pikturës “Mësuesi i Sakrificës”.
Këto punime sipas saj dëshmuan një dimension të ndryshëm të dashurisë që kanë nxënësit për mësuesit.
“Shumë emocionues takimi me fituesit e konkursit digjital të pikturës ‘Mësuesi i Sakrificës’, artistë të talentuar që kanë zbukuruar Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë me pikturat e tyre. Ky konkurs ishte kaq i veçantë, sepse nxënësit shprehën aq shumë dashuri dhe mirënjohje në çdo punim të tyre për të gjitha sakrificat dhe punën e mësuesve tanë, heronjve të palodhur”, shprehet ministrja Kushi në statusin e saj në Facebook.
Punimet e tyre, sipas ministres Kushi dëshmojnë shpresën si edhe sakrificën prindërore të mësuesve.
“Edhe pse të vegjël, këta fëmijë e kanë kuptuar kaq mirë situatën e pandemisë, dhe na e kanë shprehur nga thellësia e zemrës dhe mendjes së tyre, duke përdorur talentin e tyre”, bën me dije Kushi.
/abcnews.al/